Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit
E Mërkure, 21.03.2018
Ka vazhduar sot punimet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Projektligjin para deputetëve e paraqiti kryeministri Ramush Haradinaj.
Në fjalën e tij, ai tha se votimi pro kësaj marrëveshje është votë për integrimin evropian të Kosovës.
"Kemi kaluar një fazë jo të lehtë për të adresuar një çështje më të rëndësishme për shtetin. Kemi arritur të gjejmë një formulë të pranueshme për të gjitha palët. Marrëveshja ndërmjet dy presidentëve dhe komisioni Bulliqi e plotësojnë marrëveshjen e vitit 2015. Vota pro këtij ligji është votë për shtetin e Kosovës dhe integrimin evropian të Kosovës", theksoi Haradinaj.
Ai tha se janë analizuar të gjitha faktet dhe ratifikimi i këtij projektligji nuk e rrezikon territorin.
Përfaqësues të grupeve parlamentare paraqitën qëndrimet lidhur me marrëveshjen.
Kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, shprehu kënaqësinë që më në fund, tri vite pas nënshkrimit, Kuvendi u mblodh për të votuar demarkacionin.
Ai tha se Mali i Zi ishte njëri ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën.
"Më vjen mirë që sot Kuvendi nuk po bëhet gaz i botës e as nuk është futur gaz brenda. Asnjëherë tash e tri dekada nuk kemi marrë asnjë veprim që e dëmton vendin. Deklarata e presidentëve është konfirmim i marrëveshjes, ndërsa marrëveshja nuk ka ndryshuar nga ajo e 2015-ës. Më vjen mirë që marrëveshja po mbështetet nga një pjesë e opozitës së atëhershme", theksoi Hoti.
Në emër të GP të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi u bëri thirrje deputetëve që të votojnë këtë marrëveshje, e cila, sipas tij, i jep liri lëvizjes së qytetarëve në Zonën Shengen.
Ai tha se tashmë ekziston një letër e nënshkruar nga dy presidentët, në të cilën, në mënyrë zyrtare merret përsipër që të rishqyrtohet dhe korrigjohet nëse ka fakte.
"Ne sot jemi mbledhur këtu për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe për të liruar Kosovën, e cila është shndërruar në traumë kolektive dhe që ka pamundësuar lëvizjen e lirë. GP i PDK-së unanimisht do të votojë për miratimin e saj", theksoi Krasniqi.
Deputeti Glauk Konjufca, kryetar i GP të Vetëvendosjes, foli për peticionin me nënshkrimet e qytetarëve që ishin mbledhur për të kundërshtuar demarkacionin dhe u bëri thirrje deputetëve të grupit të tij që ta sjellin atë afër kryeministrit.
Ai tha se sot do të gjendet një zgjidhje e cila, sipas tij, është shumë e lehtë, sepse do të vendoset a do të mbrohet raporti i Murat Mehës apo do të mbrohet shteti.
"Ju inkurajoj të vendosni sipas bindjeve e jo sipas pushtetit. Ju ftoj mos të bëheni aq naiv. Kryeministri e ka vetëm një detyrë, të na tregojë a pajtohet me raportin e komisionit që ka zgjedhur vet, kaq! Nëse kryeministri pajtohet me komisionin e Bulliqit, atëherë duhet të rrëzohet demarkacioni. Nëse pajtohet me Mehën, atëherë të dalë të pranojë para deputetëve", theksoi Konjufca.
Në emër të GDP-së, deputeti Visar Ymeri konfirmoi se ky grup nuk do të votojë marrëveshjen për demarkacionin. Ai tha se demarkacioni e ka paralizuar punën e Kuvendit të Kosovës tash e tri vite.
"Njërën anë, është marrëveshja e 2015-ës që vjen si rezultat i komisionit të Murat Mehës dhe në anën tjetër është raporti i komisionit të ri shtetëror, të udhëhequr nga profesor Bullliqi. Ky raport tregon se matjet e Mehës ishin të gabuara. Në fund është marrëveshja e dy presidentëve që thotë se do të korrigjohet marrëveshja nëse ka nevojë. Këto korrektime nuk i kthejnë hektarët që është konstatuar që i humb", tha deputeti Ymeri.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se deklarata e dy presidentëve jep mundësi për korrigjimin e gabimeve nga komisioni i qeverisë së kaluar.
"Ka tri vite që është kjo temë në opinionin e Kosovës madje edhe në opinion ndërkombëtar. Ne japim mundësi për të përmirësuar gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ju ftoj të gjithëve që të votoni propozimin që ka sjell qeveria në Kuvend, me të vetmin ndryshim tek pika 1.2", theksoi Isufi, duke shtuar se me miratimin e saj edhe marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës do të thellohen edhe më shumë.
Bilall Sherifi, kryetar i GP të Nismës Socialdemokrate, konfirmoi edhe njëherë votën e deputetëve të këtij grupi për ratifikimin e marrëveshjes.
"Sot jemi mbledhur për të diskutuar dhe besoj edhe për të votuar një nga çështjet që më së shumti ka ngjallur debat në vitet e fundit dhe më së shumti ka polarizuar shoqërinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel të kombit. Nisma, deputetët e saj do të votojnë pro këtij ligji, në mënyrë që përfundimisht t'i japim epilog kësaj çështje", tha në fjalën e tij Bilall Sherifi.
Seanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve, të cilët, në frymën e qëndrimeve të grupeve të tyre parlamentare, adresuan çështje të ndryshme përmbajtësore të marrëveshjes dhe analizuan efektet e mundshme të miratimit ose të mosmiratimit të saj nga ana e Kuvendit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, disa herë doli në foltore për të dhënë sqarime në çështje të ngritura nga deputetët.
Pas shterjes së debatit, në mungesë të kuorumit, seanca vendosi që votimi i projektligjit të bëhet të mërkurën, më 21 mars 2018, në orën 11:00.