Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Hënë, 19.03.2018




Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, mbajti sot takimin e radhës me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit.

Në fillim të këtij takimi, fjalën e mori përfaqësuesja e KDI-së, Jeta Krasniqi.

Me këtë rast, ajo vuri në pah se, në kuadër të aktiviteteve të tyre, KDI ka hulumtuar se në çmasë janë duke u realizuar marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë dhe sa kanë ndikuar ato në të mirë të gjendjes së qytetarëve.

Ajo pasi bëri thirrje për një konsensus të gjerë politik lidhur me dialogu, si dhe gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komisionet, vlerësoi po ashtu se, Kuvendi duhet të ketë rol kyç gjatë këtij procesi.

Në vijim folën kryetarët e komisioneve: Driton Selamnanj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Albulena Haxhiu, kryetare e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Safete Hadërgjonaj, zv/ kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Sala Berisha- Shala, kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal dhe Besa Gaxherri zv/ kryetare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

Gjatë debatit lidhur me këtë çështje, përfaqësuesit e komisioneve vlerësuan se Qeveria duhet të jetë më transparente ndaj Kuvendit lidhur me procesin e dialogut. U vlerësua po ashtu se, komisionet duhet të kenë vetiniciativë për tu informuar për ecurinë e dialogut, ndërkaq, në planin e punës së tyre, u tha se duhet të përfshihet mbikëqyrja e realizimit të marrëveshjeve nga fusha përkatëse e veprimtarisë së komisioneve.

Duke pasur parasysh se dialogu është duke hyrë në fazën e tij më të ndjeshme, disa nga kryetarët vlerësuan se rrjedha e më tejme e këtij procesi duhet definuar sipas një rezolute të re të Kuvendit.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme