Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare

E Mërkure, 14.03.2018




Në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës (filluar me 8 shkurt), kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe nënkryetarja Mufera Shinik) nuk u përkrahën rekomandimet e harmonizuara mes grupeve parlamentare (Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) të interpelancës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Kuvendi në vijim vazhdoi me debatin parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe gjashtë deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës. Kërkesën për debat e paraqiti Avdullah Hoti (LDK). Mes tjerash ai deklaroi se kryeministri po i ikë në vazhdimësi përpalljes me deputetë, ndërsa duke folur për 188 ditët e punës së Qeverisë, Hoti numëroi disa nga çështjet që, sipas tij, nuk janë realizuar nga kjo qeveri, si: krijimi i ushtrisë së Kosovës, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, heqja e vizave, rritja e pagave dhe pensioneve, funksionalizimi i Trepçës, rregullimi i problemit me energjinë etj.

Sipas Hotit, të gjitha këto kanë mbetur fraza të thata të fushatës elektorale. Tutje, ai përmendi edhe numrin e lartë të zv/ministrave, si dhe dyfishimin e pagës së kryeministrit dhe vartësve të tij. Sipas tij, 90 për qind e të hyrave në këtë raport janë meritë e qeverisë së kaluar, ndërsa shtoi se qeveria aktuale nuk po i përmbushë pritjet e qytetarëve për jetë më të mirë, duke theksuar se vendi duhet te shkojë në zgjedhje të reja.

Deklaratave të Hotit, iu kundërpërgjigj kryeministri Haradinaj. Ai vlerësoi se janë disa tema që po e rëndojnë vendin, ndërsa foli për çështjen e dialogut me Serbinë. Me këtë rast, ai tha se do të ishte në dobi të vendit që në këtë dialog të përfshihet edhe opozita. Sa i përket çështjes së demarkacionit, ai tha se kjo temë duhet të marrë epilogun e duhur dhe se janë në pritje të ndonjë opsioni që do të ishte kredibil dhe në dobi të vendit.

"Kjo temë është ngarkesë për Kosovën dhe jam i interesuar ta zgjidh", tha kryeministri Haradinaj.

Kurse, sa i përket çështjes së krijimit të ushtrisë së Kosovës, Haradinaj akuzoi për këtë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, LDK-ja e ka lënë Kosovën që 10 vjet pa ushtri, duke përmendur me këtë rast ofertën e vendeve të rezervuara në këmbim të ushtrisë.

Kjo çështje ngjalli një debat të gjerë mes kryeministrit Haradinaj dhe deputetëve të LDK-së. Deputeti Arben Gashi (LDK) tha se kjo çështje është e pasaktë dhe se është i gatshëm që këtë ta vërtetojë publikisht. Edhe Ismet Beqiri (LDK) dha sqarime lidhur me deklaratën e Haradinajt.

"Ju them me përgjegjësi të plotë që nëse ekziston një dokument i tillë, ne bartim përgjegjësi. Është i paqëndrueshëm ky fakt dhe se nuk ka pasur asnjëherë ofertë për këmbim të vendeve të rezervuara me formimin e ushtrisë së Kosovës", tha Beqiri.

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se qeveria aktuale nuk dallon nga qeveria e kaluar. Ai në vijim përmendi numrin e lartë të zv/ministrave.

"Siç po shkon puna do të nevojitet të formohet edhe një ministri shtesë, ministria e zv/ministrave, për shkak të menaxhimit të zv/ministrave", tha Konjufca, duke kritikuar të gjitha qeveritë e kaluara dhe atë aktuale lidhur me mungesën e Ligjit për Qeverinë. Tutje, ai përmendi çështjen e krijimit të ushtrisë për Kosovën, duke shtuar se për këtë çështje e kanë votën e të gjithë deputetëve dhe se për këtë duhet filluar nisma e ndryshimit të Kushtetutës, ose rregullimi përmes Ligjit.

"Pse nuk po e merrni këtë vendim, por po insistoni në vendimet që po e ndajnë skenën politike. Të koncentrohemi në gjërat e interesit nacional", tha ai. Konjufca po ashtu ka ngritur edhe si shqetësim tjetër vdekjen e tre pacientëve në QKUK, ndërsa sa i përket vendimit të kryeministrit për kompensimin në Hade, tha se këtë çështje duhet ta hetojë prokuroria.

Deputetja Safete Hadërgjonaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se e kanë analizuar me kujdes raportin 100 ditor të qeverisë dhe se brenda kësaj periudhe kohore qeveria e ka vazhduar punën bazuar në programin e saj qeverisës dhe planin e punës. Sipas saj, brenda kësaj periudhe ka pasur reforma në shumë segmente. Me theks të veçantë ajo përmendi shëndetësinë, sistemin e drejtësisë, si dhe stabilitetin financiar.

Hadërgjonaj vlerësoi edhe ecurinë e qeverisë në drejtim të integrimeve evropiane dhe atë në fushën e kulturës dhe sportit. Hapa konkretë, sipas saj, janë ndërmarrë edhe në fushën e politikave fiskale, si dhe në forcimin e gjyqësorit, duke përmendur ndryshimin e pakove të ligjeve të sistemit të drejtësisë.

Ahmet Isufi, shef i grupit parlamentar të AAK-së, fillimisht deklaroi se ky debat është thirrur vetëm sa për të bërë zhurmë dhe jo për të analizuar punën 100-ditëshe të qeverisë. Isufi në vijim ka numëruar edhe disa nga të arriturat e qeverisë. Me këtë rast, ai përmendi projektin e qeverisë, siç e quajti ai, projektin më të madh në Kosovë, Termocentralin Kosova e Re, si dhe Ligjin për Prishtinën. Ndërsa, sa i përket shpronësimeve në Hade, Isufi tha se qeveria ka bërë hapat e duhur në këtë drejtim. Po ashtu, përmendi edhe ndërtimin e disa autostradave nëpër vend.

"Kthjelluni pak dhe shikoni realitetin. Nuk mund ta mohoni faktin se ka një disiplinë më të madhe në punë", tha Isufi.

Edhe deputeti Milaim Zeka (Nisma) tha se çdo kritikë e cila e ka si pikënisje rrëzimin e qeverisë aktuale, është kritikë e cila dihet që është sa për të bërë zhurmë. Zeka tha se Kuvendi duhet ta kritikojë dhe kontrollojë qeverinë dhe të përmend gabimet e saj, por, shtoi ai, duhet të vlerësohen edhe të mirat ë kësaj qeverie. Veç tjerash, Zeka kërkoi nga kryeministri që të publikohet çdo cent i shpenzuar lidhur me festën 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Albert Kinolli, duke folur në emër të Grupit 6 plus, vlerësoi lart punën e qeverisë. Sipas tij, kjo qeveri ka treguar përkushtimin e saj për t'u marrë me interesa nacionale të vendit dhe se ata në vazhdimësi kanë pasur përkrahjen e qeverisë dhe kryeministrit aktual që t'i dëgjojë brengat dhe sfidat e këtij komuniteti pakicë.

Gjatë diskutimit të deputetëve të cilët ngritën shumë çështje dhe shqetësime lidhur me punën e qeverisë gjatë kësaj periudhe kohore, sqarime në Kuvend dhanë edhe ministrat: Bedri Hamza, Skender Reçica, Uran Ismaili dhe Enver Hoxhaj.

Me kërkesë të ministrit Skender Reçica, u hoq nga rendi i ditës shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit.

Në mungesë të kuorumit, ndërkaq, Kuvendi nuk arriti të votojë raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenareNga vazhdimi i mbledhjes plenare