Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takon kryediplomatin slloven, Erjavec
E Marte, 13.03.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.
Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera në mes të të dyja vendeve dhe mundësitë e avancimit të tyre në shumë fusha, veçanërisht në sferën ekonomike.
Pasi e njohu kryediplomatin slloven për zhvillimet në Kosovë dhe në Kuvendin e saj në veçanti, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional, kryetparlamentari Veseli e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm të Sllovenisë në drejtim të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, si dhe për përkrahjen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Veseli shtroi nevojën e intensifikimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe vazhdimit të përkrahjes së Lubjanës zyrtare për Kosovën edhe në të ardhmen.
Ministri i jashtëm slloven, Erjavec, nga ana e tij, theksoi se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk do të mungojë, si në sektorin ekonomik, ashtu edhe në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të euro-integrimeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.