Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 06.03.2018




Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga zonja Blerta Deliu-Kodra, kryetare e komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, me ç'rast raportoi ministri i Ministrisë për Administratë Publike lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë z. Mahir Jagcilar ministër i administratës publike, përfaqësuesit e kësaj ministrie, përfaqësuesit e BE-së, OSBE-së dhe përfaqësuesi i KDI.

Duke folur për përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane, ministri Jagcilar ka theksuar se në vitin 2012, Qeveria e Kosovës ka formuar komision të veçantë që do të merret me reformën e administratës publike. Në vazhdim, ministri tha se në kuadër të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike për periudhën 2015-2020, parashikohet modernizimi i administratës publike në Kosovë dhe harmonizimi me standardet e Bashkimin evropian. Ministri Jagcilar tha se gjatë vitit 2017, Ministria e Administratës Publike ka përfunduar me hartimin e koncept-dokumentit për organizimin e administratës publike, shërbimit civil dhe të ardhurave personale, si dhe deri në fund të muajit qershor të këtij viti pritet miratimi i tij nga Qeveria e Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se Ministria e Administratës Publike ka përfunduar Katalogun e vendeve të punës të shërbyesve civil, ka harmonizuar 1.726 pozita të shërbyesve civil dhe i njëjtin deri në fund të muajit maj pritet ta miratoj Qeveria e Kosovës, kështu që Kosova nga Bashkësia evropiane dhe Komisioni evropian do të përfitojë 24 milionë euro ndihmë financiare.

Në vazhdim të mbledhjes anëtarët e komisionit parashtruan pyetje të shumta për ministrin Jagcilar.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, anëtarët e Komisionit gjithashtu shqyrtuan Projektligjin nr. 06/L-039 për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional, në aspekt të harmonizimit me legjislacionin e BE-së, si dhe Projektligjin nr. 06/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare për Privatizim, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin nr. 05/L-080, me amendamentet e komisionit funksional, në aspekt të harmonizimit me legjislacionin e BE-së

 

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane