Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare
E Enjte, 01.03.2018
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës (e filluar me 8 shkurt), kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 04/20 të datës 20.12. 2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018 për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe vendimin nr. 15/24 të datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.
Fillimisht, duke folur në emër të propozuesit të kësaj interpelance, deputeti Avdullah Hoti theksoi se ky vendim është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, si dhe në kundërshtim me etikën e qeverisë. Sipas tij, kjo sipas tij është një konflikt i hapur i interesit.
Veç tjerash, Hoti ka shtuar se ky vendim i tejkalon kompetencat e qeverisë, duke kërkuar nga kryeministri Haradinaj që ta anulojë këtë vendim. Ndërkaq, kërkoi që sa më shpejt të sillet në Kuvend edhe Ligji për pagat në sektorin publik.
Edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se duhet të mbështetet shfuqizimi i pagave për kabinetin qeveritar, ngase, sipas saj, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se i cenon kompetencat e Kuvendit. Ndërsa përmendi edhe faktin se Agjencioni Kundër Korrupsionit këtë vendim e ka konsideruar të paligjshëm dhe se Lëvizja Vetëvendosje nga AKK ka kërkuar që këtë çështje ta deponojë për kallëzim penal për kryeministrin dhe ministrat të cilët kanë marrë pjesë në këtë vendim. Tutje, Haxhiu sqaroi se ky vendim është proceduar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë deklarimit të tij për këtë çështje tha se në listën e renditjes së nivelit të pagave, 69 zyrtarë të tjerë marrin pagë më të madhe se ai. Sipas tij, kryeministri dhe ministrat nuk mund të jenë në listë me numër 69.
Ndërsa, sqaroi se ky vendim është pezulluar pasi që kjo çështje është në Gjykatën Kushtetuese dhe se është në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese, vendimin e së cilës tha se do ta respektojë. Sa i përket çështjes së skemave sociale, kryeministri theksoi se tashmë kanë kryer të gjitha obligimet që kanë.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se vendimi për rritje të pagave nga kryeministri Haradinaj, është i pezulluar dhe se deri më tani, sipas tij, kjo nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar. Ai tha se ka pasur edhe praktika të mëhershme që janë vendosur me vendime të qeverisë. Hamza shtoi se varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të bëhen edhe veprimet vijuese. Sipas tij, sektori i pagave duhet të rregullohet me ligj dhe se ligjet të cilat ndërlidhen me reformën e administratës publike, duhet të jenë sa më shpejt në Kuvend dhe të aprovohen.
Tutje, edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka folur lidhur me rritjen e ndihmës sociale dhe angazhimet tjera të kësaj ministrie. Ai tha se angazhimin e tyre dhe përkushtimin e kanë treguar për kategorinë e personave me nevoja të veçanta, veteranët, viktimat e dhunës, pensionet dhe ndihmat sociale.
Elmi Reçica (PDK) tha se me që vendimi për rritjen e pagave nga kryeministri është adresuar në Gjykatën Kushtetuese, kjo interpelancë është ndërhyrje, presion publik dhe institucional në vendimin e gjykatës. Pasi foli edhe lidhur me harmonizimin që duhet bërë dhe rregullimin e Ligjit për pagat, ai shtoi se do të mbështesin çdo propozim të qeverisë dhe kryeministrit sipas ligjeve në fuqi. Ndërkaq, kërkoi nga qeveria që të rrisë kujdesin edhe për sektorin privat. Reçica edhe vendimin tjetër të qeverisë, atë për skemat sociale, duke e vlerësuar si një vendim të qëlluar.
Albin Kurti (VV) tha se vendimi për rritjen e pagave i ka rehatuar qeveritarët dhe familjarët e tyre. Ai shtoi mes tjerash se t'ia rrisësh pagën vetes është vjedhje dhe se në vend që të bëhen kursime, qeveria, sipas tij, po bën shpenzime qeveritare. Sipas Kurtit, rritja e pagave nuk do të reflektohet në performancë.
Ndërsa, Blerim Kuçi (AAK), tha se bazuar në dokumentet që ai ka nxjerrë nga të dhënat mbi pagat, mbi 320 zyrtarë të ndryshëm, deputetë, anëtarë të bordeve, etj., e kanë pagën më të lartë se kryeministri. Ai vlerësoi se deputetët sot duhet të përkrahin rritjen e pagës së kryeministrit ose të propozojnë që të zvogëlohen pagat e atyre 320 zyrtarëve.
Edhe Bilall Sherifi (Nisma), tha se me që vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar është në Gjykatën Kushtetuese, atëherë duhet të pritet epilogu i vendimit të kësaj gjykate. Ai kërkoi mes tjerash që të bëhet nivelizimi dhe kategorizimi i pagave që paguhen nga buxheti i Kosovës dhe duhet të gjendet një rrugëdalje për këtë.
Pas një diskutimi të gjatë të deputetëve për këtë çështje dhe pasi që kryeministri Haradinaj dha sqarime në secilën çështje që u ngrit nga ta, Albulena Haxhiu (LVV) paraqiti një rezolutë lidhur me këtë interpelancë, ndërsa Avdullah Hoti (LDK) kërkoi që paraprakisht të harmonizohen të gjitha rekomandimet dhe pas pauzës të hidhen në votim.
Më pas, Kuvendi vazhdoi punimet me votimin e rekomandimeve të harmonizuara nga dy grupet parlamentare (LDK dhe VV), mirëpo për këtë nuk kishte kuorum gjatë procesit të votimit.
Avdullah Hoti (LDK), duke kritikuar deputetët për mospjesëmarje në procesin e votimit, tha se seanca nuk mund të vazhdojë pa u votuar kjo pikë. Votimi për këtë çështje u përsërit, mirëpo sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Në vijim, deputetë të LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje lëshuan mbledhjen e Kuvendit.
Me ketë rast, kryesuesi i seancës, nënkryetari Haliti, ndërpreu punimet e Kuvendit duke sqaruar se për mbajtjen e vazhdimit të seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Ndërkaq, sa i përket interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kjo çështje është shtyrë për javën e ardhshme. Për këtë shtyrje pati mocion nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që, sipas Albulena Haxhiut (VV), ka qenë një gabim procedural kur Kryesia e ka radhitur këtë pikë në vazhdimin e kësaj seance. Kjo kërkesë u përkrah pas qëndrimit të grupeve tjera parlamentare dhe me votat e deputetëve.