Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Marte, 27.02.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, mbajti tryezë lidhur me rëndësinë e organizimit në edukimin parashkollor. Ftesës për diskutim i është përgjigjur edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, para të pranishmëve e cilësoi si temë të rëndësishme debatin për organizimin dhe sfidat në edukimin parashkollor. Ai vlerësoi se kategoria e fëmijëve prej moshës 0 deri në 6 vjeç është tejet e rëndësishme, ngase, sipas tij, nga mosha 0 deri 6 vjeç fillon baza e arsimit. Bytyqi më pas theksoi mbështetjen e ministrisë që drejton ai, duke i dhënë rëndësi zhvillimit të gjithmbarshëm fëmijëve parashkollor, si: në krijimin e infrastrukturës ligjore, bashkëpunimit me akterët tjerë relevantë, gjithëpërfshirjes së edukimit në kushte të barabarta, krijimin e objekteve, ngritjen e vetëdijes në shkollim të fëmijëve që nga mosha e hershme, hartimin e kurrikulave në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për edukimin parashkollor.

Në këtë takim morën pjesë edhe ekspertë të edukimit parashkollor, drejtorë të drejtorive komunale të arsimit, përfaqësues të Institutit Pedagogjik, të organizatave ndërkombëtare dhe lokale, përfaqësues të shoqërisë civile etj.

Tryeza e komisionit, sipas kryetarit Kurteshi, kishte për qëllim që të dëgjojë nga të gjithë akterët propozimet dhe vërejtjet e tyre, me qëllim të përmirësimit dhe funksionimit sa më të mirë të çerdheve dhe objekteve për fëmijët e kësaj moshe.

Halim Hyseni, profesor i Fakultetit të Edukimit, gjatë fjalës së tij deklaroi se edukimi parashkollor ka impakt të lartë në cilësinë e arsimit. Përkitazi më këtë ai kërkoi që të ndryshohet Ligji për arsimin e lartë, në mënyrë që, siç tha ai, të dilet nga ky rreth vicioz. Ai tha se përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në edukim parashkollor ulë shkallen e kriminalitetit.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu, shqetësuese e paraqiti ndarjen e buxhetit për arsim. Ai vlerësoi se arsimi nuk është prioritet buxhetor. Shqetësuese po ashtu, sipas Salihut, është edhe mos zbatueshmëria e ligjit për arsimin e lartë.

Fjalën e morën edhe përfaqësues të institucioneve të tjera dhe të shoqërisë civile, të cilët po ashtu shfaqen shqetësimet e tyre lidhur me mosrespektimin e orarit të punës në disa komuna tek fëmijët parashkollorë, vështirësitë që paraqiten në kërrikula, problemin e hartimit të programeve që ju përgjigjen mësimdhënësve etj.

Po ashtu u kërkua edhe bashkëpunimi institucional ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë dhe MASHT-it.

Në fund të takimit anëtarët e komisionit shprehen falënderim për të gjithë pjesëmarrësit të cilët me rekomandimet e tyre i kontribuuan këtij debati.

Komisioni u dakordua që të gjitha propozimet t'i marr me shkrim për t'i pasur parasysh më pas në kuadër të angazhimeve për përmirësimin e organizimit të edukimit parashkollor.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...