Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Premte, 09.02.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti takimin e radhës, të udhëhequr nga Daut Haradinaj, kryetar.

Në mbledhjen e sotme të komisionit i pranishëm ishte kryesuesi i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), Idriz Blakaj, për të raportuar lidhur me gjendjen e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Kryesuesi i AMKMK-së, Blakaj, theksoi nevojën emergjente të hartimit të Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Ai theksoi se gjendja aktuale e kullave të Jasharëve në Prekaz është alarmante. Sipas Blakajt, për konservim të kullave dhe ruajtje të tyre nga rrënimi, nevojitën gjashtë milionë euro. Ndërkaq, për këtë gjendje të kompleksit të kullave në Prekaz, fajtorë dhe përgjegjës sipas, Blakajt, janë të gjitha institucionet. Po ashtu, ai shfaqi shqetësim për numrin e pamjaftueshëm të punonjësve në këtë agjencion, të cilët, sipas tij, nuk mund ta zhvillojnë mbikëqyrjen e të gjitha memorialëve në Republikën e Kosovës.

Deputetët shprehën shqetësimet dhe ngritën shumë çështje lidhur me kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Komisioni e cilësoi atë trashëgiminë më të madhe historike dhe filozofike që ka Kosova nga lufta e fundit. Komisioni u dakordua që ta angazhojë një komision për auditim të projektit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" prej vitit 2015 e deri me tani.

Në këtë takim debatit i kontribuoi edhe Isuf Thaqi, nga shoqëria civile, iniciues i peticionit me qytetarë, për shpëtimin nga rrënimi të kullave të Jasharëve në Prekaz. Ai, gjatë fjalës së tij shtroi nevojën e ruajtjes së kullave në Prekaz, për 24 orë, vendosjen e kamerave vëzhguese, si dhe sanimin i disa plasaritjeve.

Në fund të takimit komisioni i procedoi Kuvendit nismën Ligjore të Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, për të vazhduar më pas deri në miratimin përfundimtar legjislativ.