Lajmet e fundit

Veseli: Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugëtimin e saj euro-atlantik

E Premte, 02.02.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Këshillit Prokurorial dhe ministrin e Drejtësisë në Kosovë, ndërsa në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së.

 

Në takim u fol për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, si në aspektin e brendshëm, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, ashtu edhe procesin e integrimit euroatlantik.

 

Kreu i Kuvendit, Veseli, tha se prioritet nacional i Kosovës është integrimi euro-atlantik, ndërsa shtoi se vendi po bën përpjekje për ta arritur sa më parë liberalizimin e vizave.

 

"Përveç demarkacionit, që është një kusht kryesor për të siguruar lëvizjen e lirë dhe për të cilin pres një konsensus të gjerë, edhe sundimi i ligjit është një çështje e rëndësishme që tashmë është plotësuar si kriter, por që duhet të vazhdojë, sepse e forcon shtetin e Kosovës", theksoi kryeparlamentari Veseli.

 

Kreu i legjislativit e konsideroi inkurajues faktin që ka një dinamikë të shtuar për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka ai përgëzoi Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Ministrinë e Drejtësisë.

 

Veseli inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë mbështetjen financiare dhe kadrovike për Gjykatat dhe Prokuroritë tona, ndërsa falënderoi edhe Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.

 

"Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë përpjekje vetëm për të plotësuar një kriter ndërkombëtar, por një detyrim ndaj vendit dhe qytetarëve. Kuvendi i Kosovës ka trajtuar me prioritet të lartë çdo nisme ligjore që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo qasje do të vazhdojë edhe në të ardhmen", theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shtuar se Kuvendi do të japë maksimumin që çdo projektligj i fushës së sundimit të ligjit, që vjen në Kuvend, të trajtohet me interes të shtuar.

 

Ai tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

 

Veseli: Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugëtimin e saj euro-atlantikVeseli: Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugëtimin e saj euro-atlantikVeseli: Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugëtimin e saj euro-atlantik