Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Mërkure, 31.01.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar zv/kryeministri i parë, njëherësh ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Raporti i ministrit Pacolli kishte të bënte me gjendjen në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe ecurinë lidhur me njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Pacolli, vuri në dukje angazhimin e tyre dhe sfidat që janë duke hasur gjatë aktiviteteve diplomatike. Ai përmendi një mori takimesh me përfaqësues shtetesh dhe qeverish të ndryshme, ndërkaq, u shpreh optimist se rezultatet në këtë fushë do të jenë të prekshme. Ai vlerësoi se angazhimi diplomatik nuk është çështje vetëm e një ministrie apo ndonjë institucioni, por, sipas tij, kjo është çështje që duhet të angazhohen të gjithë mekanizmat shtetëror. Nga ky këndvështrim, ministri Pacolli, u shpreh se Kuvendi i Kosovës, veçanërisht Komisioni për Punë të Jashtme duhet të jetë më i angazhuar në diplomacinë parlamentare jashtë vendit, dhe për këtë i siguroi anëtarët e komisioni për ndihmë të pakursyer.
Duke folur për sfidat në angazhimin e tyre, kryediplomati kosovar Pacolli, bëri të ditur se shteti serb për shërbimin e tyre diplomatik ka ndarë më se 300 milionë dollarë dhe ka angazhuar një ekip prej 20 vetash, i cili ka për qëllim pengimin e integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
Gjatë ekspozeut të tij, ministri po ashtu bëri të ditur se shteti i Egjiptit nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj vendit tonë, ndërkaq, nënvizoi se edhe Madagaskari nëpërmjet një note verbale dërguar Kosovës, si dhe Serbisë, ka konfirmuar rinjohjen për Kosovën.
Lidhur me angazhimin e MPJ-së për anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, ministri njoftoi se në kuadër të ministrisë është formuar një grup punues i cili ka për qëllim hartimin e një plani për angazhime konkrete të ministrisë.
Në vijim ministri bëri të ditur edhe për gjendjen e shërbimit diplomatik në kuadër të ministrisë, si dhe për ecurinë e emërimit të ambasadorëve. Lidhur me këtë ai bëri të ditur se MPJ është duke u reformuar dhe për këtë ka formuar një komision, i cili gjatë muajit shkurt do të paraqesë gjendjen e përgjithshme organizative në MPJ, si dhe gjendjen e shërbimit diplomatik në kuadër të ministrisë.
Gjatë këtij takimi, zv/kryeministri Pacolli, nënvizoi po ashtu edhe dëmet që sipas tij mund të sjellë iniciativa parlamentare për shfuqizimin e dhomave të posaçme të Gjykatës Speciale, ndërkaq, vlerësoi se si pasojë e kësaj iniciative është duke u vënë re një izolim i heshtur i Kosovës.
Pas kësaj ai u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit.