Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 30.01.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, udhëhequr nga Daut Haradinaj, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën morën pjesë përfaqësues institucional për shëndetësi, mjedis dhe ambientit hapësinor.

Në këtë takim është diskutuar gjatë lidhur me shkaktarët e ndotjes alarmante të ajrit.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, gjatë fjalës së saj tha se ende nuk është gjetur fajtori kryesor për ndotjen e ajrit në vend. Tutje, ajo tha se është duke u definuar reduktimi i hyrjes së veturave në Prishtinë. Po ashtu ajo pohoi se do të ishte mirë të bëhej një plan për të mos lejuar përdorimin në mënyrë legale të thëngjillit për ngrohje.

Ilir Morina, kryeshef në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, gjatë këtij takimi vlerësoi se ndotja e ajrit është rezultat i situatës meteorologjike. Me pas, ai theksoi se në mungesë të erës po qëndron ndotja e lartë e ajrit. Tridhjetë për qind, sipas tij, ajrin e ndotin shkollat që përdorin naftë për ngrohje, tridhjetë për qind termocentralet dhe dyqanet, tridhjetë për qind makinat.

Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut, tha se ndotësit kryesorë të ajrit janë deponitë e hapura. Sipas tij, djegia e deponive bëhet në mënyrë të pakontrolluar.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, si problem të ndotjes së ajrit e paraqiti hyrjen e veturave të vjetra në qytet.

Avokati i popullit Hilmi Jashari, u ankua për moszbatim të ligjeve në fuqi.

Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, shprehën shqetësimin lidhur me situatën aktuale dhe shtrua nevojën e gjetjes së alternativave për të reduktuar dhe eliminuar shkaktarët kësaj ndotjeje, e cila po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...