Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 30.01.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe
Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, shqyrtoi dhe miratoi Planin e Punës së Komisionit, për vitin 2018. Plani i Punës u plotësua edhe me propozimin e znj. Haxhiu dhe anëtarit të Komisionit, Korab Sejdiu, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve: Ligjit për Kundërvajtje, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe Ligjit për Gjykatat.
Në vijim, Komisioni u njoftua lidhur me mandatin e drejtorit, zëvendës/drejtorit, bordit mbikqyrës dhe të anëtarit të Komisionit për kërkesa pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Komisioni u dakordua që sërish të kërkohet nga Kryeministri për të sjellë propozimet lidhur me plotësimin e këtyre pozitave vakante.
Komisioni, po ashtu u njoftua nga kryetarja Haxhiu edhe lidhur me zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit Prokurial të Kosovës. Ajo sqaroi se njëri nga kandidatët është tërhequr, ndërkaq, procedimi për në seancë duhet të përsëritet po ashtu me tri propozime.
Ndërkaq, sa i përket shqyrtimit të shkresës së avokatëve shtetëror të komunave, kjo çështje mbeti që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.
Komisioni po ashtu diskutoi edhe për draft-rregulloren e Punës së Kuvendit. Lidhur me këtë, kryesuesi i grupit të punës, Hajdar Beqa, ka njoftuar Komisionin për ecurinë e punës së kësaj rregulloreje, duke sqaruar faktin se janë dakorduar me grupet parlamentare që rekomandimet e tyre t'i sjellin në Komision deri më datën 6 shkurt. Ndërkaq, pas kësaj, Beqaj, njoftoi ata lidhur me zhvillimet e mëtejme për draftin përfundimtar të Rregullores së Kuvendit. Pasi u vendos edhe lidhur me mbajtjen e një punëtorie për këtë çështje, Beqaj, tha se deri më datën 15 shkurt të këtij viti, Rregullorja duhet të kalojë procedurat për miratim në shqyrtim të parë në Kuvend.