Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

E Enjte, 25.01.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën e parë plenare për sesionin pranveror, të drejtuar nga nga kryeparlamentari Kadri Veseli (një pjesë është udhëhequr nga nënkryetarët Kujtim Shala dhe Sllavko Simiq).

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve parlamentare u janë përgjigjur ministrat: Kujtim Gashi, Flamur Sefaj, Skender Reçica dhe Valdrin Lluka.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisioni për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, propozoi që të plotësohet rendi i ditës me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Të gjitha grupet parlamentare u dakorduan që kjo pikë e rendit të ditës të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar, me shmangie nga Rregullorja e punës.

Më pas, u shqyrtua Propozim-rezoluta për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm - Agjenda 2030 për Kosovën, të cilën para deputetëve e prezantoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu.

Pasi mori përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar.

U shqyrtua dhe miratua po ashtu, edhe Projekt Kodi i Drejtësisë për të Mitur, të cilën e para deputetëve e arsyetoi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e projektligjeve.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, nëpërmjet të cilit synohet përmirësimi i sistemit. Ministria e Financave, sipas tij, ka paraparë rishikimin dhe përmirësimin e kontrollit të brendshëm të financave publike, proces ky i cili, nëpërmjet këtij projektligji, do ta ndihmojë Kosovën në përmbushjen e standardeve evropiane.

Përfaqësues të grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë të Kuvendit i dhanë mbështetje projektligjit, i cili po ashtu mori mbështetjen me votë të shumicës së deputetëve të pranishëm.

Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për parandalimin e konfliktit te interesit në ushtrimin e funksionit publik, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Në paraqitjen e tij, ministri Tahiri tha se qëllimi i projektligjit është parandalimi i korrupsionit dhe i çdo konflikti të interesit.

Pas paraqitjes së raportit me rekomandime të Komisionit për Legjislacion, nga kryetarja Albulena Haxhiu, si dhe diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi projektligjin dhe ngarkoi komisionin funksional për shqyrtimin e tij konform Rregullores.

Mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm e mori edhe Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, të cilin e paraqiti ministri Skënder Reçica.

Në vazhdim Kuvendi shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin 05/L-080.

Prezantimin e këtij projektligji para deputetëve e bëri ministri i Financave,

Bedri Hamza, ndërsa Kuvendi nuk pati kuorum për miratimin e tij.

Seanca do të vazhdojë punimet nesër në orën 10:00, me pikat e mbetura të rendit të ditës.

 

Nga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e Kuvendit