Lajmet e fundit

Vazhdimi i Seancës plenare

E Enjte, 25.01.2018




Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, vijoi punimet me pikat e mbetura nga seanca e kaluar. Mbledhja plenare filloi punimet me votimin e Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016, i cili u miratua.

Pas kësaj u shqyrtua Raporti Vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016. Si zakonisht, drejtuesi i seancës, me radhë fjalën ua kaloi për deklarim deputetëve përfaqësues në emër të grupeve parlamentare.

Deputeti Dardan Sejdiu në emër të grupit parlamentar të VV-së shprehu pikëpamjet, shqetësimet dhe qëndrimin e Lëvizjes VV lidhur me pasigurinë e Fondit Pensional, mosshfrytëzimin e tij brenda Kosovës dhe politikat që ndjek ky fond, që sipas tyre nuk janë në interes të qytetarëve etj.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputetja Safete Hadërgjonaj pasi shprehu opinionet e saj deklaroi mbështetjen për miratim të këtij raporti. Po kështu deputeti Blerim Kuqi, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Enver Hoti në emër të grupit parlamentar të Nisma-s për Kosovën dhe Allbert Kinolli në emër të grupit parlamentar 6+, deklaruan mbështetjen për miratim të këtij raporti. Edhe deputeti Islam Pacolli shprehu përkrahjen e tij dhe deputetëve të tjerë të AKR-së.

Pas kësaj seanca plenare vijoi punimet nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit Kujtim Shala, i cili fjalën ua kaloi deputetëve Shqipe Pantina, Valentina Bunjaku-Rexhepi e Faton Topalli dhe pas diskutimeve të tyre, Raporti u miratua.

Më pas seanca plenare vijoi punimet me shqyrtimin e kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018, arsyetimin e të cilit e bëri kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes VV, deputeti Dardan Sejdiu, pasi shprehu shqetësimet lidhur me taksën vjetore përkrahu shqetësimet e arsyetuara nga kryetari i Komisionit, Abdixhiku. Në emër të grupeve parlamentar të LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nisma për Kosovën dhe 6+, deputetët përfaqësues u shprehën për mbështetje të kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018. Pas diskutimeve të deputetëve të ndryshëm, Raporti u miratua.

Në fund të kësaj seance, Kuvendi sipas propozimeve të paraqitura nga shefat e grupeve parlamentare formoi edhe dy komisione Ad-hoc: Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa.

Vazhdimi i Seancës plenare Vazhdimi i Seancës plenare