Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

E Marte, 23.01.2018




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe
Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka shqyrtuar fillimisht shkresën e znj. Luljeta Aliu, që ka të bëjë me Ligjin për Familjen, përkatësisht me saktësimin e disa dispozitave ligjore, me theks të veçantë, lidhur me ndarjen e pasurisë së përbashkët.

Pasi znj. Aliu paraqiti kërkesën e saj dhe sqarimin për rëndësinë e ndryshimit të këtij ligji, duke përmendur çështjet të cilat duhet rregulluar, anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre shfaqën çasje pozitive ndaj kësaj kërkese dhe theksuan faktin se këto janë shqetësime reale dhe se Komisioni do të shikojë mundësinë e ndonjë nisme legjislative, apo ndonjë forme tjetër për të rregulluar çështjet që u paraqitën si shqetësuese në këtë ligj.

Tutje, Komisioni ka shqyrtuar raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 06/L-005, për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, ndërkaq nuk e përkrahën atë (me 1 votë pro, 2 kundër dhe 3 apstenime).

Sa i përket shqyrtimit në parim të Projektligjit nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-225 për Prokurorin e Shtetit,i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-034, Komisioni paraqiti një sërë vërejtjesh që kanë të bëjnë me këtë projektligj. Me këtë rast, Komisioni vendosi që të kërkojë sqarime nga ministri i Drejtësisë, si propozues i këtij ligji dhe të kërkojë edhe informata shtesë nga Zyra për Hulumtime e Kuvendit. Ndërkaq, pas këtyre sqarimeve dhe mbi bazën e debatit në ndonjërën nga mbledhjet e radhës Komisioni do të marrë vendimin lidhur me këtë projektligj. Sa i përket shqyrtimit të Planit të Punës së Komisionit, për vitin 2018, kjo çështje po ashtu mbeti të diskutohet në mbledhjen e radhës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…