Lajmet e fundit
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane po marrin pjesë në takimin e kryetarëve të Delegacioneve të COSAC-ut
E Hënë, 22.01.2018
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, Armend Zemaj dhe Fikrim Damka, po marrin pjesë në takimin e kryetarëve të Delegacioneve të COSAC-ut (Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit) i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë (21-22 janar 2018).
COSAC është një konferencë e komisioneve të parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që merren me çështjet e Bashkimit Evropian si dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian.
Me këtë rast, parlamentet kombëtare të vendeve kandidate ftohen të marrin pjesë si vëzhgues, ku edhe Kosova me ftesë të Bullgarisë e cila edhe e mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian është ftuar të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit, por që konsiderohet hap i rëndësishëm në forcimin e parlamenteve kombëtare, si dhe krijon mundësi të mira për procesin e para anëtarësimit në BE. Ajo çka është e rëndësishme dhe reflektim i të gjitha shteteve pjesëmarrëse është fakti se me presidencën e udhëhequr nga Bullgaria, Ballkani perëndimor po rikthehet fuqishëm si pjesë e rëndësishme e agjendës evropiane.
Temat të cilat po diskutohen në këtë konferencë janë: Prioritetet e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së; E ardhmja e Bashkimit Europian; si dhe Roli i strategjive makro-rajonale të BE-së për zhvillim, stabilitet dhe siguri.