Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Premte, 19.01.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua Raporti i Auditimit për Raportin Financiar Vjetor të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, Sh.A. për vitin 2016. Lidhur me këtë, para anëtarëve të Komisionit raportuan përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe përfaqësues të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës.
U theksua fakti se kjo kompani nuk i ka zbatuar rekomandimet e vitit paraprak nga auditori, ndërkaq u vënë në pah edhe disa nga parregullësitë që janë hasur gjatë auditimit. U vlerësua se në këtë kompani ka problerme të theksuara dhe se është i nevojshëm të bëhet edhe auditimi i përformancës. Ndërkaq, përfaqësues të kësaj kompanie duke e shfaqur shqetësimin e tyre për këto të gjetura theksuan se baza e ulët e tarifës sjell probleme të mëdha për këtë kompani. Sipas tyre në vitet pasuese ata do të arrijnë të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga auditori dhe se rezultatet do të jenë evidente.
Pas shqyrtimit të këtij raporti, Komisioni u dakordua që të ftojë në Komision kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, si dhe kryesuesin e bordit, ndërkaq u tha se duhet të sjellin në Komision edhe Planin e Veprimit. Më pas, vendimi dhe rekomandimet për këtë raport, Komisioni do t'i bëjë në mbledhjen e radhës.
Komisioni po ashtu shqyrtoi edhe Raportin e Auditimit për Raportin Financiar Vjetor të Kompanisë Regjionale "Pastërtia", nga Ferizaj, për vitin 2016. Edhe lidhur me këtë raport, të dhëna dhe sqarime shtesë para Komisionit dhanë përfaqësues të ZKA-së dhe të Kompanisë Regjionale "Pastërtia". Për këtë, u ngritën shqetësime të shumta lidhur me parregullësitë dhe shkeljet që janë bërë në këtë kompani. Megjithatë, vendimi i Komisionit dhe rekomandimet edhe për këtë raport Komisioni do t'i bëjë në mbledhjen e javës së ardhshme.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi Raportin Vjetor të Punës së Komisionit, për vitin 2017, si dhe Planin e Punës së Komisionit, për vitin 2018.
Krejtësisht në fund, Komisioni i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit që të autorizojë Administratën e Kuvendit për të filluar procedurat për Auditimin e raporteve financiare të Subjekteve Politike, për vitin 2017.