Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Premte, 19.01.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, të udhëhequr nga Daut Haradinaj, kryetar.

Në këtë takim i ftuar ishte kryesuesi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, për të raportuar lidhur me gjendjen e mjedisit dhe menaxhimin në këtë institucion.

Kryesuesi Morina, gjatë raportimit paraqiti gjendjen e mjedisit për vitin 2016, me të gjeturat kryesore nga monitorimi i punës së këtij agjencioni. Në vijim, ai bëri të ditur se janë realizuar 577 vizita, janë nxjerr 29 vendime për inspektime, 530 rekomandime dhe njoftime etj.

Po ashtu, ai theksoi se shqetësim të madh për mjedisin në vendin tonë paraqet ndotja e ajrit, duke sjellë tejkalime të shpeshta të vlerave të përcaktuara. Sipas Morinës, shqetësuese për mjedisin është edhe rritja e trendit të shfrytëzimit të pakontrolluar të inerteve nga shtretërit e lumenjve dhe shkatërrimi i tyre. Ndër të tjera, ai përmendi edhe shkaktarët e një sërë sëmundjeve tek njerëzit, që vijnë si pasojë e ndotjes së mjedisit ku jetojmë.

Anëtaret e komisionit nga ana e tyre, shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit, si: ndotja dhe mosriciklimi i mbeturinave, si dhe taksat e parkingut në Brezovicë, gjendja e rëndë e tokave bujqësore, ndotja e ujërave, tejkalimi i ajrit nga lëndët djegëse etj.

Morina, para anëtarëve të komisionit dha përgjigjet dhe sqarimet e nevojshme.

Në këtë takim, komisioni ka miratuar raportin e Punës Për Vitin 2017, si dhe Planin e Punës për Vitin 2018.

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...