Lajmet e fundit
Presidenti i vendit Hashim Thaçi iu adresua deputetëve të Kuvendit të Kosovës
E Premte, 22.12.2017
E kaluara e jonë është ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja, tha presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të mbledhur sot në një mbledhje plenare të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, iu është adresuar Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij, zoti Hashim Thaçi.
Në fillim të mbledhjes, kreu i Kuvendit Veseli, pasi përshëndeti presidentin Thaçi dhe të pranishmit e tjerë, sqaroi se adresimi i sotëm i presidentit para deputetëve, bëhet në pajtim me nenin 84 paragrafi 30 të Kushtetutës së Kosovës.
Pas kësaj, deputetëve u është drejtuar presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili pasi përshëndeti kryetarin e Kuvendit, Veseli, kryeministrin Haradinaj, kabinetin qeveritar, deputetët, ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë, tha: "Me lejoni që t'ju falënderoj juve të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që më keni dhënë këtë mundësi të raportoj përpara jush dhe qytetarëve tanë për punën time si President i Republikës së Kosovës, respektivisht për punën tonë të përbashkët në forcimin e shtetësisë së Kosovës. Sigurisht, prioritet i ynë i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, jam angazhuar për respektim dhe fuqizim të të drejtave të njeriut për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Duke filluar nga diskutimet për nevojën për përfaqësim të barabartë të gruas në të gjitha institucionet e deri te Parada e Nderit, e kam bërë të qartë se: Shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, janë ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe barazisë për secilin qytetar; Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t'i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre. Kjo nënkupton, që ne duhet të sigurojmë prosperitet dhe dinjitet për secilin qytetar, qoftë për punëtorin, për pensionistin, mjekun, policin, ushtarin, për mësuesin, studentin apo nxënësit në shkolla. Ne e dimë se për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë dhe ta rrisim prodhimtarinë vendore. Në shërbim të këtij qëllimi, jam angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e ekonomisë kosovare, të prodhimeve kosovare, në përfshirjen sa më të madhe të diasporës në investimet në Kosovë. Me konsolidimit e shtetit tonë, përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin tim si president, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës. Në koordinim me institucionet relevante, e kam përkrahur nënshkrimin e kontratës për projektin për Kosovën e Re, që sjellë investimin më të madh privat në historinë e Kosovës, me 1.3 miliardë euro investime e që do të hap mbi 10 mijë vende pune. Përveç kësaj, unë vazhdoj të besoj se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Prandaj, kam përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave. Sigurisht se sot ishte kënaqësi të inauguronim edhe segmentin e dytë të autostradës "Arbër Xhaferi".
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bazamenti kryesor i çdo shteti demokratik, duke përfshirë shtetin tonë, është sundimi i rendit dhe ligjit. Asnjë fushë e shoqërisë sonë, nuk mund të jetë funksionale në rast se ne nuk e fuqizojmë sundimin e rendit e ligjit dhe në rast se ne dështojmë të garantojmë se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Me dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komunitetet jo-shumicë, shumica nga të cilët punojnë në pjesën veriore të Kosovës, kemi shtrirë rendin kushtetues e ligjor të Kosovës në çdo cep të shtetit tonë. Për këtë qëllim, kam punuar me të gjitha institucionet e drejtësisë që të vazhdojmë reformën dhe konsolidimin e gjyqësorit për të garantuar që jo vetëm të kemi ligje të shkruara mirë, por edhe implementim të plotë të këtyre ligjeve. Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit janë dhe duhet të mbeten prioritete. Kosova nuk do të dorëzohet në përballje me këto sfida dhe nuk do të lejojmë që vendi ynë të perceptohet si i korruptuar. Heronjtë e sotëm janë ata që rreshtohen në luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave.
Kemi kaluar dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet në qershor dhe ato për kuvende komunale e kryetarë komunash në tetor.
Këto dy procese elektorale kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi.
Kjo i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së re, kuvendeve të reja komunale dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj të komunave të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur të komunave, tani duhet të punojnë me përkushtim për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Kur jemi tek zgjedhjet e lira, me lejoni të theksoj se unë nuk kam hequr dorë nga puna ime që të punojmë bashkërisht me partitë politike për të përfunduar me sukses procesin e reformës zgjedhore.
Unë konsideroj se pjesa më e madhe e punës në këtë drejtim ka përfunduar dhe gjatë vitit në vijim ne duhet ta përfundojmë këtë proces.
Përkundër faktit se zgjedhjet qendrore dhe lokale kanë konsumuar shumë kohë dhe energji, prapëseprapë, si president në koordinim me institucionet tjera, kam vazhduar punën në realizimin e prioriteteve të rëndësisë shtetërore.
Ndër prioritet kryesore në këtë aspekt ka qenë vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ky është një proces shtetëror i natyrshëm dhe i domosdoshëm, i cili vjen edhe si rezultat i punës së pjesëtarëve të FSK-së, të cilët e kanë ngritur nivelin e përgatitjes dhe tani janë të gatshëm për detyra e kompetenca të reja.
Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike në të cilën mbi 10 % e pjesëtarëve të saj vijnë nga komunitetet jo-shumicë.
Forcat e Armatosura të Kosovës, po ashtu do ta ruajnë dhe fuqizojnë karakterin shumetnik.
Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët e tjerë strategjikë.
Unë sot ju siguroj se Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t'i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë.
Kur jemi te siguria e Kosovës, më lejoni të theksoj se jam krenar që shteti ynë është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit.
Ky përkushtim i ynë ka marrë mirënjohje nga të gjithë liderët e botës së lirë e demokratike.
E shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj të gjithë mekanizmat e sigurisë kombëtare që kanë kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
E kaluara e jonë është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet tona ende mbeten të freskëta.
Por, e kaluara e jonë është edhe ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.
Për këtë qëllim, me përkushtim kam vazhduar punën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që synon të ndihmojë përpjekjet e shoqërisë sonë për mbylljen e kapitullit të luftës, të armiqësive dhe arritjen e pajtimit të ndërsjellë.
Prandaj jam i lumtur që pas një pune të madhe, kemi arritur të themelojmë ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Jam i sigurt se puna e këtij komisioni do të japë rezultate konkrete gjatë vitit 2018 dhe më këtë rast, dua të falënderoj organizatat e familjeve të të pagjeturve, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre.
Dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje.
Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi i ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja.
Sigurisht se kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.
Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces.
Unë edhe sot ju bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror.
Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët tanë na kanë mbështetur.
Kështu duhet të jetë përsëri, sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit tonë në strukturat veriatlantike, varet në masë të theksuar nga ky proces.
Në çdo rrethanë, unë ju siguroj juve të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur, do të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Kredibiliteti ynë shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohemi anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti ynë në përmbushjen e obligimeve tona shtetërore.
Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t'i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona.
Ne duhet t'i pranojmë lëshimet tona dhe t'i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinje në procesin e integrimeve euroatlantike.
Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Janë inkurajuese bisedat e fundit që janë duke u zhvilluar në kuadër të institucioneve të Kosovës, të përfshirë të gjithë, edhe Kuvendi, edhe Qeveria dhe gjithë njerëzit vullnetmirë, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, pra në javët e ardhshme.
Duhet që pa humbur kohë të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse BE-ja dhe shumë shtete tjera partnere janë të zhgënjyera me paaftësinë tonë për të zbatuar zotimet e marra përsipër.
Sa më shpejt përmbushim detyrat tona, aq më shpejt do të mund të bëjmë hapa seriozë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Si President i Republikës së Kosovës i kam bërë thirrje vazhdimisht BE-së për veprime jo vetëm teknike, por mbi të gjitha strategjike për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Më vjen mirë që tani së fundmi edhe Bashkimi Evropian e thotë qartë se mënyra më e mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë është anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Unë vazhdoj të besoj se mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Një kohë të konsiderueshme të punës sime ia kam kushtuar edhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence.
Këto dy vizita kanë konfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partner i Republikës së Kosovës dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.
Por, pjesë e këtij partneriteti është edhe përgjegjësia jonë që të sillemi si shoqëri dhe si shtet i pjekur politikisht, i gatshëm të luajë rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit.
Gjatë këtij viti kam realizuar vizita bilaterale dhe kam marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme.
Me ketë rast, dua të veçoj edhe vizitat bilaterale në Kanada, Kroaci e Turqi.
Kam takuar Presidentin e Bullgarisë në Sofje, Presidentin e Austrisë në Vjenë dhe Mbretin Abdullah në Aman.
Jam nderuar me audiencë tek Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Kam përfaqësuar Kosovën në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Jordani, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, në Forumin e Kroacisë dhe në Samitin Bërdo-Brione, etj.
Në këto forume, ndër të tjera me krenari kam prezantuar transformimin e Kosovës nga një konsumues i mekanizmave të paqes e sigurisë në një promovues dhe kontribuues të paqes dhe bashkëjetesës në mes të popujve.
Kjo ka forcuar bindjen në botë se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe të qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore.
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.
Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja si deputetë, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndaluar për të mirën tonë të përgjithshme.
Si President i Republikës së Kosovës do ta përcjell me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Prandaj, uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë.
Le të jetë viti 2018, vit i unitetit politik e qytetar të Kosovës.
Në fund, pasi jemi në prag të festave të fundvitit, më lejoni t'ju uroj paqe, shëndet, gëzim e lumturi, juve dhe familjeve tuaja, çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Për shumë mot, urimet më të mira për Kërshëndellat dhe gëzuar Vitin e Ri!", tha presidenti i vendit Hashim Thaçi, në fjalimin e përvjetshëm para deputetëve të Kuvendit.