Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Mërkure, 20.12.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtuan raportet e auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike, për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016.

Kryetari Driton Selmanaj, njoftoi Komisionin se raporti i auditorit do të publikohet në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve brenda 10 ditësh.

Gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve, përfaqësues të kompanisë Audit&Conto, të cilët kanë realizuar auditimin për raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës të subjekteve politike për katër vite, shpalosën në detaje të gjeturat dhe rekomandimet e tyre lidhur me auditimin e këtyre subjekteve politike.

Subjektet politike të audituara për katër vite fiskale, sipas tyre janë: për vitin 2013, 17 subjekte politke, për vitin 2014 janë 23 subjekte politike, për vitin 2015 janë15 subjekte politike, ndërsa për atë 2016 janë 15 subjekte politike.

Ymer Shatri, përfaqësues i Audit&Conto ka sqaruar se shumë nga subjektet politike ende nuk janë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat për publikimin e raporteve financiare qofshin ato të fushatës apo vjetore dhe se sipas tyre
pjesa më e madhe e këtyre subjekteve kanë bërë gabime të njejta kur i kanë regjistruar shifrat në formularët e publikimit.
Tutje, duke folur për të gjeturat gjatë këtij auditimi, Shatri ka sqaruar se zyrtarët financiar të subjekteve politike nuk janë profesionalisht të përgatitur për të kryer punët e zyrtarëve financiar.
U theksua fakti se po thuajse të gjitha subjektet politike nuk kanë personel profesional të certifikuar si kontabilist për kontabilitet dhe raportim financiar.

Janë gjithsej 118 raporte të audituara, për 4 vjet, ndërsa 10 prej tyre janë me opionion të pakualifikuar dhe 50 sosh janë me mohim të opinionit.

Shatri gjatë raportimit të tij në Komision, ka sqaruar se përveç dy partive politike, të tjerat nuk i kanë të publikuara pasqyrat financiare.

Disa nga anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre shprehën shqetësime lidhur me papërgjegjshmërinë e subjekteve politike duke u bazuar në të dhënat e auditorit, ndërkaq, përmendën faktin se duhet rekomanduar qeverisë për procedim sa më të shpejt për ndryshimin të ligjit.

Pas shqyrtimit të këtyre raporteve, raporti i auditorit të pavarur për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike procedohet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike