Lajmet e fundit

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha- Shala priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës

E Marte, 12.12.2017




Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha - Shala, priti sot në takim përfaqësues nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, të prirë nga Adem Selmani, kryetar.

Me këtë rast, përfaqësuesit e kësaj shoqate e njoftuan kryetaren e Komisionit lidhur me çështjen e automjeteve të pasiguruara, si dhe industrinë e sigurimeve dhe sfidat më të cilat ata po përballen.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Selmani, gjatë bashkëbisedimit me kryetaren e Komisionit Sala -Berisha, vuri në dukje se një prej sfidave kryesore është çështja e automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në trafik. Ai tha se këto automjete përbejnë rreth 25% të të gjitha automjeteve në vend, ndërkaq, pjesëmarrja e tyre në komunikacion paraqet pasiguri në trafik.

Kjo përqindje, njoftoi Selmani më pas, është shumë më e madhe në raport me atë që kërkohet të jetë sipas kritereve që kërkohet për Kartonin e Gjelbër, i cili ka paraparë që automjetet e paregjistruara të mos jenë më shumë se 3%.

Kryetarja e Komisionit, ndërkaq, premtoi që këtë çështje dhe shqetësimet e kësaj shoqate do t'i adresojë tek institucionet përkatëse.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha- Shala priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës