Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 12.12.2017
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka shqyrtuar sot kërkesat buxhetore të institucioneve/agjencioneve që bien në fushëveprim të Komisionit për Legjislacion. Kërkesat janë shqyrtuar edhe nga grupi i punës, ndërkaq rekomandimet i paraqiti dhe arsyetoi kryesuesi i grupit të punës, Korab Sejdiu.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit lidhur me këtë çështje, ata u dakorduan që këto rekomandime të shëndrrohen në amendamente të Komisionit dhe gjatë mbledhjes së ardhshme të votohen për procedim në Komisionin për Buxhet.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim dy projektligje: Projektligjin nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur. Ndërkaq, sa i përket shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës së Mullisëve të Kosovës (SHMK), Komisioni e konsideroi të drejtë kërkesën e tyre duke e proceduar atë në komisionet përkatëse: Komisionin për Buxhet, si dhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.
Komisioni po ashtu formoi edhe grupet punuese të këtyre projektligjeve: Projektligjit nr.06/L-010 për Noterinë, Projektligjit nr.06/L-009 për Ndërmjetësim, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jo-kontestimore, si dhe të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2004/26 për Trashëgiminë në Kosovë. Ndërsa, shqyrtimi i propozimit të Fakultetit Juridik për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, është hequr nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme.
Krejtësisht në fund, kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, njoftoi anëtarët e Komisionit lidhur me vizitën që do ta zhvillojnë në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ndërkaq zv/kryetari i pare i Komisionit, Hajdar Beqa, njoftoi Komisionin për mbajtjen e një punëtorie lidhur me Rregulloren e re të Punës së Kuvendit.