Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Hënë, 11.12.2017
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike nr.06/L-021.
Komisioni e përkrahu këtë projektligj në parim, duke i rekomanduar seancës plenare për miratim, ndërkaq lidhur me këtë formoi edhe grupin e punës, të kryesuar nga kryetari Selmanaj.
Në vijim, Komisioni shqyrtoi edhe planin vjetor të punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, për sezonin e auditimit 2017/2018, ndërkaq Komisioni dha edhe disa propozime shtesë që t'i shtohen këtij plani vjetor të punës se ZKA-së. Driton Selmanaj propozoi që të auditohet niveli i zbatimit të kontratës mes Qeverisë dhe KEDS-it, si dhe subvencionet në Bujqësi, ndërkaq, Mërgim Lushtaku, propozoi që në kuadër të auditimit për çështjen e KEDS-it të auditohet edhe çështja e faturave të rrymës që ka të bëjë me pjesën veriore të Mitrovicës. Këto propozime, u mbështetën nga Komisioni.
Krejtësisht në fund, Komisioni diskutoi edhe lidhur me shqyrtimin e raporteve individuale të auditimit.