Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare
E Mërkure, 06.12.2017
Kuvendi i Republikws sw Kosovës ka vazhduar sot punimet e seancës plenare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar (pjesa tjetër është drejtuar nga Mufera Shinik, nënkryetare e Kuvendit) lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Deputetët diskutuan gjerësisht përkitazi me përmbajtjen e projektligjit, duke dhënë rekomandime lidhur me aspekte të ndryshme përmbajtësore të tij.
Deputetë të grupeve parlamentare në pozitë, dhanë vlerësime pozitive lidhur me projektligjin, ndërsa të tjerë nga grupet opozitare, paraqitën vërejtje dhe adresuan kritika në segmente të ndryshme të tij.
Për t'u përgjigjur në vërejtjet dhe pyetjet e deputetëve, si dhe për të dhënë sqarimet e nevojshme, në disa raste fjalën e mori ministri i Financave, Bedri Hamza.
Sqarime shtesë dha edhe ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj.
Pas diskutimeve të deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, projektligji u hodh në votim, por nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, paraqiti rekomandimin e komisionit që drejton, për miratimin e projektligjit.
Pasi mori mbështetjen e grupeve parlamentare, projektligji u miratua nga Kuvendi.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe Projektligjin mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.