Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

E Mërkure, 30.01.2019




Kuvendi i Kosovës nën drejtimin e Kadri Veselit, kryetar, hapi punimet e sesionit veror për vitin 2019, punime të cilat filluan me pikat e zakonshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Më pas nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, Kuvendi vijoi punimet ku, qeveria tërhoqi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës ("MASHT") dhe Stitching Spark të Holandës ("SPARK"), mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Ndërkohë, Kuvendi nuk ratifikoi Marrëveshjen për Protokollin Shtesë të Marrëveshjes për Amendatimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, si dhe Marrëveshjen me Unicredit Bank Austria Ag për projektin për sistemimin dhe largimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës.

Më tej, Kuvendi miratoi ratifikimin e Marrëveshjes midis Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë, si dhe ratifikimin e projektligjeve midis Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG, për ndërtimin e sistemit të kanalizimit për Komunën e Shtimes, ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë për Komunën e Graçanicës, ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për Komunën e Istogut, si dhe marrëveshjen me Raiffeisen Bank International AG për projektin e ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Ferizajt.

Po kështu Kuvendi miratoi Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili u fut në rend të ditës pas kërkesës së Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta votoi mocionin procedural të kërkuar nga Komisioni për Buxhet, me të cilin është kërkuar zgjatja e afatit të shpenzimeve të buxhetit derisa Ligji për buxhet të hyjë në fuqi.

Deputetët pas diskutimeve në lidhje me kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e Ligjit për Lirinë e Asocimit të Organizatave Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor 2018, për mungesë kuorumi për votim, shkuan në pushimin e drekës.

Pas pushimit, për mungesë kuorumit për votim, seanca plenare vijoi punimet me pikat për shqyrtimin e parë të: Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar; Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

Pas shtytjes së pikave për interpelancë me kërkesë të parashtruesve, Kuvendi mbylli punimet për ditën e mërkurë.


Pikat e mbetura nga kjo seancë do të vazhdojnë pas përfundimit të pikave të seancës së 2 shkurtit.