Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave publike

E Marte, 06.11.2018




Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, së bashku me përfaqësues të tjerë të këtij institucioni, për shqyrtimin e raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të kësaj ministrie, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.

Valon Ramadani foli në cilësinë e deputetit raportues, i cili paraqiti para komisionit gjeturat nga auditori. Mos realizimi i projekteve kapitale, nënshkrimi i memorandumeve me federata sportive të cilat tejkalojnë buxhetin paraparë, parregullsi tek kategoria e mallrave dhe shërbimeve, u prezantuan në këtë raport.

Në anën tjetër, ministri Kujtim Gashi paraqiti disa nga arsyet pse kanë ndodhur këto lëshime dhe masat që janë ndërmarrë. Ndër tjerash ai theksoi se ky raport është marrë nga viti i kaluar, ndërsa ky i fundit ka ardhur në detyrën e ministrit më vonë dhe se nuk ka kompetenca për t'i arsyetuar ato çfarë kanë ndodhur në kohën kur ai nuk ka qenë ministër.

Në mbledhjen e sotme, u aprovuan po ashtu edhe rekomandimet e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, të dala nga raporti i auditimit të jashtëm, për pasqyrat vjetore financiare të kësaj ministër, për vitin 2017.

Të njëjtat u adresuan për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave publike