Lajmet e fundit

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, organizoi dëgjim publik

E Marte, 30.10.2018




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, organizoi dëgjim publik lidhur me pakon e ligjeve për reformimin e administratës publike: Projektligjin për pagat në sektorin publik, Projektligjin për zyrtarët publikë dhe Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Mbledhja është kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i komisionit.

Në këtë dëgjim publik të organizuar nga komisioni, morën pjesë të gjitha grupet e interesit që ndërlidhen me fushëveprimtarinë e administratës publike.

Kryetari i komisionit, Hasani, e hapi diskutimin, duke dhënë sqarime lidhur me ecurinë e procesit që ka të bëjë me pakon e ligjeve për reformimin e administratës publike. Hasani kërkoi nga të gjitha institucionet e shërbimit publik dhe civil, të administratës, agjencive, rregullatorëve, për të dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me me pakon ligjore.

Driton Gjonbalaj, drejtor në Autoritetin e Aviacionit Civil, shprehu shqetësimin e tij lidhur me projektligjin e ri, i cili parasheh që AAC-ja të shndërrohet nga agjenci e pavarur në agjenci ekzekutive.

Sipas Gjonbalajt, Kushtetuta e cilëson AAC- në si rregullator të pavarur, prandaj, theksoi ai, shndërrimi në agjenci ekzekutive përbën shkelje të Kushtetutës dhe nuk mund t'i qëndrojë asnjë testi ligjor. Ai kërkoi që të merret parasysh vërejta e këtij agjencioni.

Valon Kurtaj drejtor i Agjencionit të Akademisë së Drejtësisë, tha se ky agjencion dallon nga të tjerat, ngase, sipas tij, është organ që bën trajnime për gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ. Shqetësimin e tij, Kurtaj e shprehu lidhur me kërkesën për ruajtjen e statusit të AD-së, si agjenci e pavarur.

Drejtori Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, theksoi se integrimi i këtij agjencioni në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik do të jetë gabim, i cili, sipas tij, pengon zhvillimin ekonomik të vendit.

Të njëjtat shqetësime lidhur me agjencionet shtetërore të pavarura paraqitën edhe ZRRE-ja, Këshilli për Trashëgimi Kulturore etj. Po ashtu, fjalën e morën edhe përfaqësues të sindikatave të agjencioneve publike, lidhur me nenet të caktuara të projektligjeve.

Kushtrim Hodaj, përfaqësues i Inspektoratit Policor të Kosovës, kërkoi status të veçantë krahas Policisë së Kosovës.

Shqetësimet dhe kërkesat e tyre në komision i paraqitën edhe përfaqësuesit e Sindikatave të shëndetësisë, SBASHK-u, Asociacioni i Komunave, Sindikata e Doganave, Sindikatat komunale të shërbyesve civilë nga Mitrovica dhe Vushtrria, etj.

Në fund të takimit, kryetari Hasani, pohoi se të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e dërguara me shkrim, do t'i shqyrtojë komisioni.

 

 

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, organizoi dëgjim publikKomisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, organizoi dëgjim publik