Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës plenare
E Enjte, 25.10.2018
Seanca e sotme plenare e Kuvendi i Republikës së Kosovës, e nisur nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ka vijuar me shqyrtimin e pikave të renit të ditës nga seanca e kaluar.
Gjatë kësaj seance, fillimisht është ratifikuar Projektligji për ratifikimin e Traktatit që themelon komunitetin e transportit.
Më pas, është vijuar me votimin dhe përkrahjen në parim edhe të këtyre projektligjeve: Projektligji për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Projektligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe ai për tatimin në të ardhura personale, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar, Projektligji për Inspektoratin e punës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit, Projektligji për pagat në sektorin publik, Projektligji për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura si dhe Projektligji për zyrtarët publik.
Në vijim, Kuvendi shqyrtoi edhe 7 projektligje të sponsorizuara nga Ministria e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, të cilat para deputetëve i paraqiti dhe arsyetoi ministri i kësaj Ministrie, Kujtim Gashi.
Ministri Gashi, fillimisht paraqiti Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive mirëpo nuk u plotësua kuorumi për votim.
Ngjashëm ndodhi edhe me projektligjet tjera, përkatësisht, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/22 për Kinematografinë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për bibliotekat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L -090 për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit si dhe Projektligjin nr.06/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport.
Pas kësaj, ministri i Ministrisë së Financave Bedri Hamza paraqiti arsyetimin e Raportit vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, por që nuk u arrit kuorumi për votim.
Në vazhdimin e seancës dhe pikave të rendit të ditës, përfaqësuesit e komisioneve funksionale, bënë arsyetimin dhe prezantimin e projektligjeve dhe raporteve për shqyrtim në Kuvend, ku përfshiheshin: Projektligji për Ndërmarrjet Sociale, Raporti vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017, Raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017, rekomandimet për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, emërimi i kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, si dhe rekomandimi për emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore. Pjesë e diskutimeve në mes deputetëve u bë edhe propozimi shkarkimi i z. Shqipërim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare, mirëpo mungesa e kuorumit u pamundësoi që ky propozim të vazhdoj tutje.
Në vazhdim u dhanë edhe propozimet e grupeve parlamentare për kryetarë dhe nën-kryetarë, si dhe anëtarë të komisionit Ad-Hoc.
Pas kësaj, kryesuesja e seancës, pasi mori emrat e propozuar e përmbylli seancën.