Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 20.11.2018
Realizimi i Planit të punës së këtij viti dhe planifikimet për vitin e ardhshëm, ishin çështje për të cilat ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala.
Mbledhja është kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit, e cila në fillim të takimit falënderoi ministrin e MTI-së për gatishmërinë e raportimit, ndërkaq, e siguroi atë për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet komisionit dhe ministrisë.
Duke iu referuar punës së MTI-së gjatë periudhës janar - nëntor të këtij, ministri Shala, fillimisht njoftoi për infrastrukturën ligjore në këtë ministri.
Lidhur me këtë, ai njoftoi se, gjatë kësaj periudhe raportuese janë miratuar 7 Ligje, të sponsorizuara nga MTI, 14 udhëzime administrative dhe 6 rregullore. Ndërkaq, nga Qeveria, sqaroi ministri, janë miratuar 4 udhëzime administrative dhe një Rregullore.
Në vijim, ai foli për prioritet strategjike të ministrisë, duke vënë në spikamë përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes lehtësimit të qasjes në financa dhe përmirësimit të standardeve të cilësisë. Lidhur me këtë, ministri Shala tutje shtoi: " Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është angazhuar në adresimin e sfidës së qasjes në financa, kryesisht për NVM-të, duke e vazhduar mbështetjen për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore edhe në vitin 2018", dhe shtoi më pas se, nga ky fond deri më tani janë garantuar mbi 1500 kredi.
Më pas, ai raportoi për aktivitetet e ndërmarra për rritjen e nivelit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe atyre të Diasporës, për avancimin e politikave industriale të Kosovës, si dhe turizmin në Kosovë.
Në fjalën e tij, ministri i MTI-së Shala, vëmendje i kushtoi edhe prioriteteve sektoriale. Lidhur me këtë, ai nënvizoi se MTI do të vazhdojë të përkrahë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, nëpërmjet përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, promovimit të produkteve të tyre brenda dhe jashtë vendit si dhe përmirësimit të dialogut publiko privat.
Sipas ministrit, Shala, MTI-ja vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe përmirësimit dhe mbikëqyrjes së tregut përmes kontrolleve të rregullta dhe ngritjes së vetëdijes së konsumatorit, ndërkaq u shpreh se qëllimi i tyre është zhvillimi i mëtejmë i politikave tregtare, duke përmirësuar kornizën legjislative si dhe ngritjen e kapaciteteve të dikastereve relevante.
Pas kësaj, ministri u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit. Me këtë rast, u vu re interesimi i të gjithëve lidhur me vendimin e MTI-së për vendosjen e tatimit prej 10 %, për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Po ashtu, deputetët shprehën shqetësimin e tyre edhe për tendencën e rritjes së çmimit të bukës, si pasojë e këtij vendimi.
Lidhur me këtë, ministri Shala, fillimisht i siguroi anëtarët e komisionit se masa e marrë do të mbetet në fuqi, e cila sqaroi ai, është vendosur si pasojë e sjelljes jo korrekte nga ana e Serbisë. Tutje, ai po ashtu njoftoi se zbatimi i këtij vendimi është duke u mbikëqyrë nga inspektorati dhe mekanizmat përkatës.
Për sa i përket rritjes çmimit të bukës, ndërkaq, ministri vuri në spikamë faktin se Kosova nevojat me grurë i përmbushë në masën 80 %, andaj sipas tij, rritja e çmimit të bukës nuk do duhej të arsyetohet me vendimin e MTI-së. Për më shumë, ai u zotua se kjo çështje do të hulumtohet edhe Autoriteti i Konkurrencës.