Lajmet e fundit
Deputetët Blerta Deliu-Kodra dhe Armend Zemaj po marrin pjesë në Takimin Plenar LX të COSAC-ut, në Austri
E Marte, 20.11.2018
Blerta Dieliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe Armend Zemaj, zëvendëskryetar, po marrin pjesë në takimin Plenar LX të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), që po mbahet në Vjenë të Austrisë, nga 18 - 20 nëntor 2018.
Ky takim plenar i COSAC-ut është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Austriake e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Temë kryesore e këtij takimi ishin: gjendja aktuale në të cilën ndodhet Bashkimi Evropian gjatë Presidencës Austriake të Këshillit të BE-së, çështja e Brexit - gjendja aktuale, politikat rreth klimës dhe Bashkimit Energjetik, si dhe transparenca e Bashkimit Evropian për qytetarët e saj në ditën e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian.
Gjatë zhvillimit të punimeve të takimit të COSAC-ut, Deliu-Kodra dhe Zemaj janë takuar me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së dhe kanë diskutuar lidhur me mbështetjen e tyre ndaj Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Gjithashtu, deputetët Deliu-Kodra dhe Zemaj kanë kërkuar mbështetjen e këtyre përfaqësueseve të komisioneve parlamentare për çështje të BE-së të shteteve anëtare në çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, në këto takime është diskutuar rreth perspektives evropiane të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit kryesisht ndërmjet komisioneve homologe.
Në këtë konferencë të COSAC-ut morën pjesë përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet me statusin e vendit kandidat dhe kandidat potencial, vendet e partneritetit lindor etj.