Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit për Legjislacion, me kryeministrin Haradinaj dhe ministrat Hoxha e Tahiri
E Hënë, 12.11.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrat Abelard Tahiri e Dhurata Hoxha, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve lidhur me pakon legjislative dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj theksoi nevojën që Projektligji për kodin penal, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë dhe Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të trajtohen më me urgjencë.
Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, theksoi se komisioni brenda ditës do të procedojë në komisionet e tjera kryesore Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe atë për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ndërsa shtoi se kërkesa e kryeministrit për seancë të jashtëzakonshme në këtë rast, ndërhynë në punën e Kuvendit.
Ishte dakordim përbashkët i anëtarëve të komisionit dhe i kryeministrit që ky i fundit të tërheq kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ndërsa komisioni merr obligim që të kërkojë nga Kryesia që brenda kësaj jave të trajtohen në lexim të dytë katër projektligjet e theksuara.