Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi ...

E Marte, 27.11.2018




Në mbledhjen e sotme, të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga Muharrem Nitaj, kryetar, i ftuar për raportim ishte drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj.

Drejtori Zogaj, para anëtarëve të komisionit prezantoi raportin e gjendjes aktuale të Komplekseve Memoriale, të cilat janë nën menaxhimin e agjencionit që ai drejton. Zogaj paraqiti të dhëna financiare të komplekseve memoriale, të cilat janë planifikuar nga agjencioni për projekte kapitale për vitin 2018. Ai, përmendi një varg projektesh që kanë kosto më të lartë buxhetore, siç është ai i Kompleksit Memorial " Adem Jashari" në Prekaz. Lidhur më këtë projekt, ai theksoi se, këtë vit në kompleks janë instaluar kamerat e sigurisë, ndërkaq, gjendja e kullave të rezistencës vazhdon te jetë ende e rëndë. Mirëpo, sipas tij, agjencioni do të angazhohet maksimalisht për t'i krijuar kushtet e fillimit të punimeve sa më parë, në mënyrë që të mbrohen objektet e rezistencës.

"Prioritet në këtë kompleks, është shpronësimi i pronave, konservimi dhe restaurimi i shtëpive të rezistencës, ndërtimi i amfiteatrit dhe parkingut, si dhe shpronësimi i pronave prej njëzet hektarëve ( 20h )," tha Zogaj.

Gjatë raportimit, Zogaj foli edhe për fazën e tretë të punimeve në Kompleksin Memorial të Koshares, e cila siç tha ai, është në procedurë të punimeve deri në fazën e katërt. Ndërkaq, lidhur me projektin e Kompleksit Memorial " Dëshmorët e UÇK-së" në Penuhë të Podujevës, Zogaj, pohoi se janë duke vazhduar punimet me fazën e dyte dhe të tretë. Po ashtu, ai foli edhe për zhvillimin e projekteve për Komplekset tjera të dëshmorëve të cilat do të përfundojnë sipas planit të paraparë nga agjencia.

Anëtarët e komisionit nga ana e tyre kërkuan sqarime lidhur me shpenzimet e projektit të Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, Kompleksin Memorial "Ibrahim Rugova", " Dëshmorët e Kombit" në Vrellë të Istogut etj.

Drejtori Zogaj, u është përgjigjur pyetjeve të shtruara nga deputetët duke dhënë sqarimet e nevojshme.

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi ...