Lajmet e fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa zhvilloi takim me përfaqësuesit e FMN-së
E Premte, 26.10.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, i prirë nga Lumir Abdixhiku, kryetar, priti sot përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me të cilët diskutoi lidhur me implementimin e buxhetit për këtë vit, përgatitjen e buxhetit për vitin 2019, si dhe iniciativat legjislative që mund të kenë ndikim në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2019.
Takimi i sotëm është realizuar në vazhdën e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet komisionit dhe FMN-së, bashkëpunim ky i cili u vlerësua i dobishëm edhe në të ardhmen.
Kryetari i Komisionit Abdixhiku, vuri në spikamë angazhimin e Komisionit, në trajtimin e çështjeve buxhetore, duke nënvizuar se angazhimi i deputetëve në komision tejkalon interesat partiake.
Lidhur me çështjet e ngritura, opinionet e tyre i paraqitën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët po ashtu vlerësuan se bashkëpunimi me FMN-në, lehtëson punën e tyre në orientimin e shpenzimeve të parasë publike.
Pas kësaj, përfaqësuesja e FMN-së, në Kosovë, Stephanie Eble, foli për çështjet, të cilat mund të ndikojnë në përmbajtjen fillestare të Projektligjit për buxhetin e vitit 2019. Ajo tërhoqi vërejtjen për trajtimin me kujdes të skemave sociale, Ligjin për pagat, si dhe Ligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve të 90'ta (të cilat janë në procesin e miratimit), sepse, sqaroi ajo, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në çrregullimin e skemave buxhetore. Përfaqësuesja e FMN-së, Eble, po ashtu vlerësoi se, duhet kushtuar vëmendje edhe iniciativave politike që bartin shpenzime buxhetore.
Në vijim të fjalës së saj, Eble, foli edhe për investimet kapitale të parapara nga Qeveria. Lidhur me këtë, ajo vuri në pah se vendimet e Qeverisë duhet të jenë në harmoni me mundësitë reale të implementimit.