Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli priti në takim lamtumirës ambasadorin amerikan, Delawie
E Marte, 18.09.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili së shpejti përfundon misionin në vendin tonë.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi ambasadorin amerikan për kontributin e pazëvendësueshëm në shtyrjen përpara të shumë proceseve pozitive në vendin tonë, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndër vite.
Veseli tha se bashkëpunimi dhe miqësia midis Kosovës dhe SHBA-së, tashmë është e çimentuar dhe e pakthyeshme.
Duke i uruar diplomatit amerikan suksese të reja në karrierën e tij të mëtutjeshme, Veseli shfaqi përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin me drejtuesin e ri të Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ambasadori Delawie, nga ana e tij, u shpreh i lumtur që për disa vite ka drejtuar misionin diplomatik amerikan në Kosovë, ndërsa falënderoi kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin.
Delawie konfirmoi edhe njëherë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e parezervë e Kosovës në ecjen e saj përpara dhe kapërcimin e sfidave që ajo ka para vetes.