Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Hënë, 30.07.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot vazhdoi mbledhjen me pikat e papërfunduara nga seancat e datës 26 korrik. Seanca u kryesua nga Xhavit Haliti, nënkryetar (një pjesë u drejtua nga nënkryetarët Aida Dërguti dhe Kujtim Shala).

Gjatë ditës së sotme, seanca ka vazhduar me debatin parlamentar për dialogun me Serbinë. Në këtë debat, prezent ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili foli lidhur me dialogun për Serbin në raport me marrëveshjen përfundimtare, pajtimin dhe çështjen e të pagjeturve.

Haradinaj theksoi se qeveria është marrë intensivisht me kategoritë që meritojnë kujdes të veçantë, por, sipas tij, për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, nuk është njoftuar opinioni.

Po ashtu Haradinaj, foli edhe për pajtimin me Serbinë. Përkitazi me këtë ai tha se pajtimi me Serbinë nuk nënkupton faljen e krimeve të kryera, por, sipas tij, kjo nënkupton vendosjen e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve.

Deputetë nga të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, diskutuan gjerësisht lidhur me dialogun me Serbinë, duke paraqitur opinionet dhe qëndrimet e tyre përkitazi me këtë temë.

Pas diskutimeve, deputeti nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri, paraqiti propozim-rezolutën dhe kërkoi mbështetjen e deputetëve për të.

Në mungesë të kuorumit, kjo pikë e as pikat e tjera nuk u hodhën në votim, ndërsa kryesuesi mbylli seancën.

Kryesuesi Haliti njoftoi se mbyllja e kësaj seance shënon edhe mbylljen e sesionit pranveror të punimeve të Kuvendit.

 

Nga vazhdimi i seancës plenare Nga vazhdimi i seancës plenare Nga vazhdimi i seancës plenare