Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 23.07.2018




Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, sot në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, ka raportuar lidhur me Marrëveshjen Financiare për fondet e IPA 2017, pjesën ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Në fjalën e saj para anëtarëve të komisionit, ministrja Hoxha tha se Kosova mund të ketë sfida në Këshillin e Ministrave, për shkak të debatit të fundit në BE për emigracionin.

Hoxha tha se është lajm i mirë që Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga udhërrëfyesi ne lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.

"Ka qenë një lajm i mirë dhe lajm i vonuar, por ky është vetëm hapi i parë. Rekomandimi është vetëm motori qe i vë në lëvizje të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian për vendimet që vijnë pastaj. Hapi tjetër është Komisioni për të drejtat dhe liritë qytetarëve, që vepron në kuadër të Parlamentit Evropian. Takimi është i paraparë që të mbahet më 29 gusht", tha Hoxha.

Ministrja Hoxha tha se është duke u hartuar një plan veprimi për një agjendë të saktë të lobimit.

"Ne si Republikë e Kosovës dhe si institucione jemi në proces për të hartuar një plan veprimi së bashku me Zyrën e kryeministrit dhe Kuvendin, që të kemi një agjendë të saktë lobimi, t'i tregojmë të arriturat, sidomos në fushën e menaxhimit të emigracionit. Kemi një pako të ligjeve që e rregullojnë çështjen e emigracionit", tha ministrja e Integrimit.

Ajo shtoi se sipas statistikave, numri i qytetarëve tanimë që po shkojnë në mënyrë ilegale apo po e keqpërdorin vizën Shengen është shumë i ulët.

"Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, që nga siguria e pasaportave, emërtimi i rrugëve, qeverisja e mirë dhe shumë ligje të tjera. Nuk ka kushte shtesë", shtoi Hoxha.

Në këtë mbledhje, të drejtuar nga Blerta Deliu-Kodra, Komisioni për Integrime Evropiane me votat unanime procedoi për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë, Projektligjin për veprimtari hidrometeorologjike, Projektligjin për Kompleksin Memorial "Adem Jashari", Projektligjin për ndërmarrje sociale, si dhe Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisioneve funksionale.

Në këtë mbledhje u plotësua rendi i ditës edhe me Marrëveshjen "Evropa për qytetarët". Kjo marrëveshje, si dhe Marrëveshja Financiare për fondet e IPA 2017, u proceduan për shqyrtim në seancë plenare.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane