Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim…
E Hënë, 23.07.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i drejtuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, ka pritur sot në takim anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Në takim u diskutua kryesisht për sfidat e Agjencisë së Akreditimit.
Nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Vjollca Krasniqi, tha se objektivi kryesor i këtij institucioni është avancimi i politikave që do ta parandalonin çdo keqpërdorim dhe do ta garantonin cilësinë në arsim.
"Prioritet i yni është të punojmë sipas standardeve dhe të akreditohen vetëm institucionet që e meritojnë. Ne jemi duke punuar që çdo informacion të dalë në faqen zyrtare sepse jemi të përkushtuar për transparencë", theksoi ajo.
Kryetari Kurteshi dhe anëtarë të tjerë të komisionit, nga ana e tyre, paraqitën shqetësimet lidhur me mbarëvajtjen e punëve në këtë këshill.
"Në agjencion mungon transparenca e plotë dhe kjo gjë duhet të përmirësohet", tha ndër të tjera kryetari Kurteshi.