Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Premte, 20.07.2018




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i kryesuar nga Duda Balje, kryetare e komisionit, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi lidhur me çështjen e Personave të Pagjetur, pas samitit të mbajtur në Londër.

Të ftuar në këtë mbledhje ishin Përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Jahja Lluka, këshilltar politik i kryeministrit, ka treguar se çështja e personave të pagjetur ka qenë njëra nga pikat më të rëndësishme në samitin e Londrës, duke vlerësuar se në këtë samit Kosova për herë të parë ka qenë e barabartë me të gjitha shtetet tjera.

Lluka e konsideroi të rëndësishëm faktin se të gjithë kryeministrat pjesëmarrës në samit, e kanë nënshkruar marrëveshjen me pikën e veçantë për zbardhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftërave të viteve të 90-ta, me të cilën zotohen se do të japin informacione në ndihmë të kësaj çështjeje.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë për Persona të Zhdukur ka paraqitur po ashtu disa probleme në zbardhjen e çështjes së të zhdukurve gjatë luftës, si: urdhëresat për gërmim për gjetje mortore, të lëshuara nga EULEX-i dhe e njëjta lëshohet edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mungesa e informacioneve të besueshme, çështja e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës, të cilat mbeten të paidentifikuara, dhe problem kryesor, sipas tij, mbesin lokacionet e shënjuara në territorin e Serbisë, në të cilat mund të ketë mbetje mortore, por që pa presion ndërkombëtar është e vështirë të zhvillohen punime.

Ndërkaq, është kërkuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut... që të ndihmojë në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, për kompensimin për familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës, pasi që, sipas përfaqësuesve të Komisionit Qeveritar, kjo çështje nuk është e rregulluar me këtë ligj.

Anëtarët e komisionit, janë pajtuar me këtë kërkesë dhe kanë shtuar se ligji do të ndryshohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të cilën në komision është zotuar ministri Skënder Reçica.

Pas përfundimit të diskutimit, Komisioni ka pritur në takim një grup të studentëve nga Italia dhe përfaqësues të KFOR-it italian.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...