Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme takoi kryetarin e Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Australisë, Chris Crewther
E Enjte, 19.07.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka pritur sot në takim kryetar i Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Australisë, Chris Crewther.
Në takim i diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, arritjet e saj në shumë fusha dhe prioritetet për të ardhmen, veçanërisht në sferën ndërkombëtare.
Duke e falënderuar z. Crewther për mbështetjen që shteti australian i ka dhënë Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, e njohu mysafirin me angazhimet e komisionit që ajo udhëheq, sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe nevojën për vazhdimin e përkrahjes nga shtete mike, siç është Australia, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Time Kadriaj, Elmi Reçica dhe Danush Ademi, e konsideruan të rëndësishme dhe mjaft kruciale mbështetjen që Australia mund të japë për Kosovën, sidomos në anëtarësimin e saj në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, siç janë: INTERPOL-i, UNESCO-ja etj.
Kryetari i Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Australisë, Chris Crewther, nga ana e tij, u interesua për proceset politike në vendin tonë, duke konfirmuar njëkohësisht se Australia do të vazhdojë të jetë përkrahëse e madhe e Kosovës në rrugëtimin e saj të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.