Lajmet e fundit

Një delegacion i Kuvendit po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare në Bruksel

E Enjte, 12.07.2018




Me ftesë të Parlamentit Evropian, deputetët e Kuvendit të Kosovës: Blerta Deliu-Kodra (kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane), Lumir Abdixhiku (kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa), Driton Selmanaj (kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike), Safete Hadërgjonaj (zëvendëskryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa) dhe Avdullah Hoti (anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike), po marrin pjesë në Konferencën Ndërparlamentare, në Bruksel - Belgjikë.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë deputetë të Parlamentit Evropian dhe të vendeve të parlamenteve të para-anëtarësimit (shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia).

Tema kryesore e Konferencës është "Menaxhimi i mirë i Fondeve të BE-së: Roli i Parlamentit në kontrollin buxhetor".

Deputetët e Komisionit për Kontroll Buxhetor të Parlamentit Evropian në sesionet e mbajtura, diskutuan për punën dhe rolin e këtij Komisioni në procesin e kontrollit të buxhetit dhe të shpenzimeve ndaj institucioneve dhe agjencive te BE-së, si dhe fondeve të tjera strukturore dhe fondeve të ndara për vendet në procesin e paraanëtarsimit në BE-së.

Po ashtu u diskutua për bashkëpunimin e Parlamentit Evropian me Gjykatën Evropiane të Auditorëve, Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), zyrat Kombëtare të Auditimit dhe parlamentet kombëtare, në procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të buxhetit të BE-së dhe ndërmarrja e veprimeve të përbashkëta në kuadër të këtij procesi.

Në një sesion të veçantë, u diskutua për qasjen kombëtare dhe regjionale të fondeve te BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh në realizimin e projekteve ndërkufitare në këto vende dhe për dukshmërinë e tyre tek qytetarët.

Në kuadër të kësaj teme, deputetët e Parlamentit Evropian dhe deputetët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerësuan nevojën thellimit të bashkëpunimit më të afërt në mes të Komisioni të Kontrollit Buxhetor të PE-së dhe Komisioneve të Kontrollit Buxhetor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, në procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të fondeve të BE-së të dedikuara për këto vende, për të parë mënyrën e shpenzimeve (përshirë efikasitetin dhe efektshmërinë) të tyre dhe analizën e rezultateve të arritura në vendet përkatëse.

 

Një delegacion i Kuvendit po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare në Bruksel Një delegacion i Kuvendit po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare në Bruksel