Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 11.07.2018




Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Sala Berisha-Shala, ka raportuar lidhur me gjendjen në Ndërmarrjen Publike Posta e Kosovës SH. A.

Gjatë raportimit të tij në komision, ministri Lluka tha se Posta ka probleme të vazhdueshme financiare dhe kjo shkakton problem në paga. Problem tjetër, ministri e konsideroi edhe koston e shërbimit universal postar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, tha po ashtu se për ta ndihmuar Postën në këtë çështje, ministria ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ARKEP-it që të bëjë një vlerësim të shërbimit të kostos së shërbimit universal postar. Ai tha se ministria më pas do ta dërgojë në qeveri për diskutim dhe për subvencionimin e këtij shërbimi postar.

Në këtë mbledhje, mori pjesë edhe kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, i cili tha se, që prej ndarjes së Postës nga Telekomi, Posta është përballur me probleme financiare. Ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje, sepse Posta është në një situatë të rëndë.

Ndërkaq, anëtarët e komisionit dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me problemet me të cilat po përballet Postë-Telekomi i Kosovës dhe mundësitë e kapërcimit të tyre.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...