Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Hënë, 09.07.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot punimet e seancës plenare, me pikat e papërfunduara të datës 6 korrik. Seancën e kryesoi Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit (një pjesë e punimeve u kryesua nga Xhavit Haliti, nënkryetar).

Ndërkaq, deputetët shqyrtuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, shpalosi rëndësinë dhe vlerat e Programit të BE-së, COSME.

Për këtë marrëveshje foli edhe Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit për Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare: Memli Krasniqi - PDK, Dardan Sejdiu - PSD, Muharrem Nitaj - AAK, Bilall Sherifi - NISMA.

Në vazhdim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, u paraqit dhe u arsyetua nga deputeti Mërgim Lushtaku (PDK). Për këtë projektligj, dhanë qëndrime të ndryshme përfaqësues të grupeve parlamentare. Disa prej tyre shprehën dilema për amendamentin e tretë, i cili ka të bëjë me vjetërsinë e makinave të importuara.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, theksoi nevojën që gjatë procesit të amendamentimit të këtij projektligji, një rëndësi e veçantë t'i kushtohet mjedisit.

Kuvendi vazhdoi punimet me prezantimin e Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2017, nga kryetari i Komisionit për Administratë, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani.

Gjithashtu, Xhevahire Izmaku - PDK, Rasim Selmanaj - AAK dhe Milaim Zeka - NISMA, diskutuan lidhur me raportin e paraqitur.

Në emër të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik..., rekomandimin për miratimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2017, e paraqiti kryetarja Sala Berisha-Shala.

Lidhur me raportin diskutuan edhe deputetë të tjerë.

Përderisa po diskutohej për raportin, kryeparlamentari Kadri Veseli njoftoi deputetët se sapo është votuar që Kuvendi i Kosovës të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.

"Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin", theksoi kryeparlamentari.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi ndërpreu punimet. Seanca vazhdon të enjten, më 12 korrik.

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit