Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

E Premte, 06.07.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët ka diskutuar lidhur me përshpejtimin e shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve në procedurë.

Duke dhënë një pasqyrë të legjislacionit i cili është në procedurë parlamentare, Veseli bëri të ditur se aktualisht në shqyrtim në komisione parlamentare janë 41 projektligje.

Kryeparlamentari Veseli kërkoi nga drejtuesit e komisioneve rritjen e dinamikës së punës për shqyrtimin e projektligjeve, në mënyrë që Kuvendi të kryej përgjegjësitë e tij kushtetuese sipas ritmeve të parapara, e sidomos, ato që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave. Veseli përmendi Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe atë për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Drejtuesit e komisioneve parlamentare, nga ana e tyre, paraqitën të dhëna rreth ecurisë së deritashme të punës për përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve nga ana e komisioneve që ata drejtojnë.

 

Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare