Lajmet e fundit

Nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut...

E Mërkure, 04.07.2018




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka diskutuar sot për themelimin e grupit teknik me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës. Mbledhja e komisionit u kryesua nga Duda Balje, kryetare, ndërsa të ftuar ishin: Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Mustafë Grainca, zëvendësministër i Financave, Hilmi Jashari, Avokat i Popullit dhe përfaqësuesit e fshatit Hade.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit ka ngritur çështjen e shpronësimit të pronave të banorëve të zonës së Shipitullës dhe Hadës, duke vlerësuar se është shkelur e drejta njerëzore. Avokati i Popullit ka paraqitur ankesat nga ana e banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë, mbi kompensimin e tyre për shpronësim.

Ndërsa ministri Valdrin Lluka, ka thënë se kanë arritur të tejkalojnë kolapsin energjetik të fshatit Shipitullë, pas një marrëveshjeje me banorët e këtij fshati.

Diskutimi vazhdoi me problemin e vendit ku do të ndërtohet miniera e re e thëngjillit, për të cilin ministri i Zhvillimit Ekonomik deklaroi se kompania të cilën e kishte angazhuar KEK-u, kishte dhënë tri opsione: veriu me Hade, veriu pa Hade dhe pjesa e jugut.

Zëvendësministri i Financave, Mustafë Grainca, tha se do të veprojnë për të qenë në funksion të interesave të qytetarëve.

Përfaqësuesit e fshatit Hade adresuan kritika ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, për, siç thanë ata, shkeljen e të drejtave të banorëve dhe kërkuan që të merret një vendim konkret për të ardhmen e banorëve të këtij fshati.

Kjo, ngase, sipas tyre dhe kryetares së komisionit, Duda Balje, kushtet në këto zona nuk janë normale për jetesë.

Ndërsa, sa i përket shpronësimit të banorëve të fshatit Hade, ministri Lluka u shpreh se për këtë nuk ka buxhet, ndërsa i informoi anëtarët e komisionit se ministria ka krijuar një ‘task forcë' për ndalimin e ndërtimeve pa leje.

Në fund, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka shtruar dy çështje problematike për të rinjtë e Kosovës nën moshën 18 vjeçare. Çështjen kishte të bënte me konsumimin e drogës nga të rinjtë dhe pasojat që ajo sjell, dhe çështja e dytë për sistemin e edukimit në Kosovë, me fokus në numrin e madh të kolegjeve private të cilat, sipas tij, janë në dëm të shtetit dhe shoqërisë.

Anëtarët e komisionit kanë pranuar këto dy çështje si problematike dhe të rëndësishme për tu trajtuar.

 

Nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut...