Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Premte, 23.03.2018




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua raporti i Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare për MASHT, për vitin 2016.

Prezent në këtë takim për të dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me këtë raport ishte edhe ministri i MASHT-it, Shyqeri Bytyqi, si dhe përfaqësues tjerë të kësaj ministrie.

Fillimisht, Bujar Bajraktari, udhëheqës i Departamentit të Auditimit, paraqiti një përmbledhje të shkurtër në çështjet më të rëndësishme që kanë dalur nga auditimi i Pasqyrave Financiare Vjetore të MASHT-it, për vitin 2016. Ai sqaroi se opinioni i auditimit për PVF-të e MASHT-it për vitin 2016 është opinion i pamodifikuar, me theksim të çështjes. Sipas Auditorit, rreth 13 milionë euro është vlera e shkollave të cilat i ka ndërtuar ministria për komunat, dhe të cilat figurojnë si pasuri e ministrisë, derisa mbi 9 milionë euro ishin mjetet e paguara për libra shkollorë e të cilat janë evidentuar në regjistrin kontabël si pasuri. Më tej u përmendën edhe disa dobësi të qeverisjes, veçanërisht në lidhje me moszbatimin e plotë të rekomandimeve nga viti paraprak. Ndërkaq, u diskutua edhe për mangësitë tjera në menaxhimin e pagave të profesorëve në universitetet publike dhe kompensimet e paarsyeshme të mësimdhënësve për provimet e mbajtura.

Planifikimi i dobët i prokurimit, menaxhimi i dobët i kontratave, vonesa në përfundimin e projekteve kapitale, vazhdimi i kontratave kornizë, parregullësi në procedimin e pagesave, si dhe pranim jo i rregullt i mallrave, ishin disa nga mangësitë që u përmendën si shqetësuese në këtë Komision.

Anëtari i Komisionit, Andin Hoti, raportues i këtij raporti, përmendi disa nga të gjeturat kryesore bazuar në këtë raport, ndërkaq shpalosi edhe rekomandimet e Komisionit. Ai tha se MASHT-i duhet të hartojë planin e veprimit për të gjeturat e auditorit, duke caktuar personat përgjegjës dhe duke caktuar afatet kohore për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Jashtëm, të dhëna në raportin e auditorit të jashtëm për vitin 2016.

Tutje, ai tha se ministri duhet të sigurojë se po bëhet në mënyrë të saktë evidentimi dhe vlerësimi i saktë i pasurive kapitale dhe jokapitale dhe se duhet të sigurohet se kompensimi i pagave dhe mëditjeve, përveç legjislacionit tjetër në sektorin publik, rregullohet edhe me rregulloret e brendshme të universiteteve për të ardhurat personale. Në vijim Hoti tha se MASHT-i duhet të sigurojë se cilat janë stoqet e librave para se të behet kërkesa për libra të reja.

Ndërsa, ministri Bytyqi, gjatë diskurimit të tij sqaroi se raporti i takon periudhës në të cilën ai nuk ka qenë ministër i këtij institucioni. Ndërkaq, shtoi se është i gatshëm që të marrë përgjegjësitë që kanë dalë nga ky raport i auditimit, si dhe rekomandimet që dalin nga Komisioni.

Ministri Bytyqi sqaroi se një numër i madh i rekomandimeve të Auditorit janë plotësuar. Sipas tij 10 sosh janë implementuar plotësisht, ndërsa 9 janë në proces të implementimit. Ndërsa, për dy rekomandime të paplotësuara ai dha sqarime më të detajuara. Ministri ka folur edhe për mangësitë tjera që janë hasur nga auditori gjatë asaj periudhe, duke shtuar se tashmë gjendja ka ndryshuar për të mirë.

Krejtësisht në fund, Komisioni ka përkrahur edhe raportin përfundimtar për Projektligjin nr. 6/L-021për Kontrollin e Brendshëm Financiar dhe procedohet në seancë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike