Lajmet e fundit
Veseli: Sot përfundon drama trevjeçare e demarkacionit
E Mërkure, 21.03.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.
Kryeparlamentari Veseli shprehu bindjen se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi do të ratifikohet sot nga Kuvendi, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit të shumë proceseve që kanë mbetur peng i këtij votimi.
Veseli tha se pas miratimit të demarkacionit, Kosovës do t'i hapet perspektivë e re integruese dhe zhvillimore, do të forcohet partneriteti me vendet e BE-së dhe qytetarët do të fitojnë të drejtën e tyre të merituar për të lëvizur lirshëm në Zonën Shengen.
"Tri vjet së bashku kemi përjetuar ato që nuk do duhej t'i përjetonim. Ka ardhur momenti të përfundojmë këtë dramë dhe kjo do të përfundojë sot. Ky takim me ambasadorët, edhe pse i zakonshëm, sot përçon mesazhin për Kosovën dhe qytetarët e saj se BE-ja është me ne dhe pret shumë nga ne. I sigurova partnerët tanë se do të punojmë fuqishëm në agjendën e integrimit euroatlantik", theksoi Veseli.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se dita e sotme është e rëndësishme për Kosovës dhe u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit, duke u mundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë.
"Ju bëj thirrje që të votoni marrëveshjen. Kjo është një nga dy kushtet për heqjen e vizave. Mos i mbani qytetarët e izoluar", theksoi Apostolova.