Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 06.03.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e radhës sot, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, në të cilën raportoi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, lidhur me sistemin gjyqësor.
Kryesuesi i KGJ-së, Idrizi, raportoi para anëtarëve të komisionit lidhur me ecurinë e punës dhe zhvillimet e sfidat që e kanë përcjell këtë institucion gjatë vitit të kaluar.
Të arriturën me të madhe për Këshillin Gjyqësor, Idrizi e konsideroi zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për Integrimin e Gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës. Ndërkaq, sfidë e këtij institucioni, sipas Idrizit, është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura.
"Kjo çështje ka bërë që të humb besimi i qytetarëve në gjyqësorin e Kosovës", tha Idizi.
Lidhur më këtë, ai shtroi nevojën e rritjes së numrit të gjyqtarëve, në mënyrë që të zhvillohet punë me efikase për qytetarët.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe adresuan shumë çështje që lidheshin me fushëveprimtarinë e këtij institucioni, në të cilat kryesuesi Idrizi dha përgjigjet dhe sqarimet përkatëse.
Në këtë mbledhje, komisioni përkrahu dhe procedoi tutje në Kuvend raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.
Mbështetjen e komisionit ndërkaq, nuk e mori raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe me Ligjin nr. 05/L-080.