Lajmet e fundit
Nga seanca plenare e Kuvendit
E Premte, 02.03.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën plenare të drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli (një pjesë është udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti).
Seanca filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve parlamentare iu përgjigjën ministrat: Albena Reshitaj, Skender Reçica, Mahir Yagcialr, Shyqeri Bytyqi, Kujtim Gashi, Nenad Rikalo.
Pas një pauze, seanca ka vazhduar me diskutimet lidhur me pikat e rendit të ditës.
Deputetët shqyrtuan Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ("MASHT") dhe Stitching Spark-ut të Holandës ("SPARK") mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica, të prezantuar dhe arsyetuar nga ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi.
Deputetët, në diskutimet e tyre, vlerësuan lart rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për studentët vendorë.
Më pas, u vazhdua me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA, të cilin ministri Bytyqi e cilësoi projektligj të rëndësishëm. Ai tha se me ratifikimin e këtij projektligji, MASHT-ti do të krijojë kushte për rritjen e cilësisë në arsim.
Ministri Bytyqi prezantoi dhe arsyetoi para deputetëve edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), duke i ftuar deputetet për miratim.
Deputetët që diskutuan i dhanë mbështetje këtij projektligji.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha -Shala, inicuese e Projektligjit për miniera dhe minerale, prezantoi dhe arsyetoi këtë projektligj, përmes të cilit, siç theksoi ajo, do të eliminohen të gjitha procedurat burokratike dhe do të krijohen mundësi zhvillimi për zonat me miniera dhe minerale.
Tutje, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ftoi deputetët që ta shqyrtojnë dhe miratojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-034. Sipas ministrit Tahiri, ky projektligj do të rrisë numrin e prokurorëve, nëpërmjet të cilëve do të luftohen korrupsioni dhe keqpërdorimet në dikasterët prokuroriale.
Projektligji mori mbështetjen në parim të grupeve parlamentare dhe të deputetëve, të cilët diskutuan lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji.
Ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi, ka prezantuar dhe arsyetuar para deputetëve Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës dhe Projektligjin për inovacion shkencor dhe transfer të dijes dhe teknologjisë. U shqyrtua, po ashtu, edhe Projektligji për shërbimet postare.
Në vazhdim, ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bajram Hasani, prezantoi dhe arsyetoi katër projektligje, të cilat u shqyrtuan për herë të parë nga deputetët: Projektligjin për produkte të ndërtimit, Projektligjin për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe Projektligjin për masat mbrojtëse në importe.
Gjatë prezantimit, ministri Hasani shkoqiti aspekte përmbajtësore të projektligjeve, të cilat i konsideroi të një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e standardeve evropiane.
Edhe deputetët, gjatë diskutimeve të tyre përkitazi me projektligjet, vlerësuan lart rëndësinë e tyre dhe i dhanë mbështetje për miratim dhe shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.
U shqyrtua po ashtu, edhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/21, dt. 22.12.2017 në lidhje me Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.
Vazhdimi i seancës për votimin e këtyre pikave dhe shqyrtimin e pikave të tjera, do të përcaktohet nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të radhës.