Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Marte, 27.02.2018




Procesi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol, ishte çështje për të cilën ka raportuar sot para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Në këtë takim, të kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e këtij Komisioni, u vu në pah se për tejkalimin me sukses të të gjitha sfidave që pengojnë anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë, është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve përkatëse në vend.

Duke folur për sfidat e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, ministri Sefaj u shpreh se angazhimet e Serbisë, si dhe të Rusisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, janë ndër shkaqet kryesore që ne ende nuk ia kemi dalë që të jemi pjesë e Interpolit.

Por, pas një pune të vazhdueshme, tha ministri Sefaj, ne besojmë se në nëntor të këtij viti, Kosova do t'ia dalë që të jetë anëtare me të drejta të barabarta në këtë organizatë.

Për të arritur këtë, ministri vlerësoi se kjo çështje, nuk duhet trajtuar si angazhim partiak apo politikë të një subjekti të caktuar, por, si çështje nacionale e cila kërkon angazhimin e të gjithëve.

Në këtë takim foli edhe majori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili vuri në spikamë se me angazhimin e tyre kanë arritur që të largojnë nga listat e Interpolit të gjithë ata të cilët me ndikimin e shtetit serb kanë figuruar kinse si të inkriminuar në vepra kriminale gjatë luftës, si dhe për shkaqe të tjera me motive politike.

Anëtarët e komisionit u shprehen të gatshëm që lidhur me këtë të japin kontributin e tyre në të gjitha format e mundshme në kuadër të fushëveprimtarisë së Komisionit.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme