Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 08.02.2018
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Flamur Sefaj, Uran Ismaili, Shyqeri Bytyqi, Aberald Tahiri dhe Valdrin Lluka.
Fillimisht, nënkryetari Haliti njoftoi deputetët se kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar përmes një shkrese me shkrim që çështja e interpelancës lidhur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, të shtyhet për seancën e radhës. Kjo, për shkak se kryeministri gjendet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, kërkoi që përveç kësaj të shtyhet edhe çështja lidhur me raportin e 100 ditëve të punës së Qeverisë së Kosovës.
Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosjes, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale, si dhe çështja e debatit parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe gjashtë deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës, u vendos të shtyhen.
Për caktimin e ditës së mbajtjes së vazhdimit të seancës lidhur me këto çështje do të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Në vijim, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi që shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi për Ratifikimin e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të hiqet nga rendi i ditës.
Lidhur me këtë, ai shtoi se çështja e shkarkimit të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ishte vendim joligjor nga ana e ministrit të MASHT-it dhe se sipas tij ai nuk ka raportuar në Kuvend lidhur me këtë.
Pasi ky mocion u hodh në votim dhe në mungesë të pjesëmarrjes së deputetëve në procesin e votimit, për dy herë radhazi, Kuvendi vazhdoi me shqyrtimit e pikave të radhës.
Me këtë rast, Hoti dhe deputetë të LDK-së kërkuan që kjo çështje të procedohet sërish në votim.
"Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk voton asnjë ligj nëse deputetët nuk marrin pjesë në votimin për këtë çështje", theksoi Hoti. Megjithatë, kryesuesi i Kuvendit tha se kjo çështje do të mbetet siç ka qenë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në procesin e votimit dhe se mocioni do të hyjë në votim pasi që të jenë shumica e deputetëve në sallë.
Pas kësaj, deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së lëshuan mbledhjen.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të huajt, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.
Pas deklarimit të qëndrimeve të grupeve parlamentare lidhur me këtë projektligj, Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, sqaroi se ky komision ka shqyrtuar këtë projektligj dhe ka vendosur që Kuvendit t'i rekomandojë për miratim në parim, me që i plotëson të gjitha kriteret për të kaluar në lexim të parë.
Mirëpo, në mungesë kuorumi për të hyrë në procesin e votimit, Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të këtyre projektligjeve: Projektligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore (të cilin e prezantoi ministri i FSK-së, Rrustem Berisha), Projektligjit për pajisjet nën presion, si dhe Projektligjit për shërbimin gjeologjik të Kosovës (që u prezantuan dhe arsyetuan nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka).
Kuvendi po ashtu mbajti debat parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik.
Në cilësi të iniciuesit të këtij debati, nga GP i Vetëvendosjes fjalën e mori Albin Kurti.
"Viti 2015 pati nisur me protestat e janarit që kanë shpjer në shkarkimin e ministrit të atëhershëm, Jabllanoviqit. Viti 2015 u përmbyll me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thoshte se Asociacioni apo Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, përkatësisht ‘Zajednica' nuk është në përputhje me 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Viti 2016 pati nisur me demonstratat më të mëdha të Kosovës së pasluftës, më 9 janar dhe 17 shkurt kundër ‘Zajednicës së Serbisë' dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Gjatë asaj kohe janë bërë me qindra arrestime të aktivistëve dhe deputetëve opozitar të Vetëvendosjes", tha Kurti. Tutje ai përmendi edhe arrestimin e gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes, më 29 gusht, lidhur me sulmin me predhë në ndërtesën e Kuvendit, më 4 gusht: Astrit Dehari, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Petrit Ademi.
Ai vlerësoi se ky ishte inskenim i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit, sipas tij, për të fshehur autorët e vërtetë dhe për të fajësuar Vetëvendosjen me qëllime të caktuara.
"Policia kishte bërë ndëshkimin. Nuk vepronte gjykata, nuk fliste prokurori, por policia po hakmerrej për protestat e Vetëvendosjes që kishin bërë gjatë 20 muajve të fundit dhe policia vazhdonte ta bënte ndëshkimin. Kur vdiq Astrit Dehari nuk foli as gjyqësia, as prokuroria, por policia", tha Kurti, duke shtuar se të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të këtij rasti, për sulmin në Kuvend, flasin kundër këtij dënimi, të cilin ua shqiptoi gjykata atyre dhe se, sipas tij, asnjë provë materiale nuk dëshmon asnjë fakt kundër këtyre aktivistëve.
Lidhur me këtë temë, folën edhe deputetë të tjerë, përfaqësues të grupeve parlamentare. Deputeti Hajdar Beqa nga GP i PDK-së tha se Kuvendi nuk është arenë e zgjidhjes së problemeve të atyre që bien ndesh me ligjin. Debatin e thirrur nga Vetëvendosje për të diskutuar rreth dënimit të aktivistëve të saj, Beqa e konsideroi keqpërdorim të të drejtës së tyre procedurale për të thirrur seanca.
"Përmes kësaj synohet për të manipuluar me rastin dhe të godasin politikisht drejtësinë aty ku nuk u pëlqen, e ta lavdërojnë profesionalisht aty ku iu pëlqen. Duhet të dimë se sistemi i drejtësisë është i shkallëzuar dhe për këtë rast për të cilin sot po diskutojmë akoma nuk kemi vendim përfundimtar. Ky lloj i politikëbërjes synon t'i godas të arriturat edhe ashtu jo të mjaftueshme në sistemin e drejtësisë në vendin tonë", theksoi deputeti Beqa, duke shtuar se ky debat tenton të krijojë huti dhe mosbesim në drejtësi tek opinioni publik, që pastaj, sipas tij, t'iu japin të drejtë veprimeve të tyre të mundshme që mund të bien ndesh me ligjin në të ardhmen.
Kryetari i GP të NISMA-s, Bilall Sherifi, rastin për të cilin po debatohej e konsideroi të ndjeshëm, edhe për faktin se po bëhet fjalë edhe për një djalë i cili ka humbur jetën. Ai tha se nuk beson që dikush të ketë mundur të shkojë aq larg, prandaj shfaqi besimin se e vërteta e tyre në fund të jetë edhe e vërtetë e drejtësisë. Ai tha se shoqëria është e ndarë në dysh: dikush e beson një të vërtetë, dikush një të vërtetë tjetër.
"Le të përqendrohemi që atyre t'ju ofrohet asistenca më e mirë e mundshme juridike vendore dhe të vërtetën e tyre ta përçojnë bindshëm atje ku tash së shpejti do të merret vendimi", theksoi Sherifi.
Deputeti Daut Haradinaj nga Grupi Parlamentar i AAK-së, duke iu drejtuar deputetëve të Vetëvendosjes, tha t'i ketë ngelur hatri që Vetëvendosje nuk është distancuar nga sulmi në Kuvend. Ai i bëri thirrje deputetëve të këtij grupi parlamentar "që të mos viktimizohen". Ndërkaq, duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, Haradinaj tha se të gjithë janë kundër që Kulla dhe Çakorri t'i jepen Malit të Zi, por shtoi se Kosova është në presion të madh vendor dhe ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe të ecet përpara.
Debati vazhdoi me diskutime të tjera të deputetëve.
Seanca vijoi me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Rekomandimet e komisionit i paraqiti kryetarja Duda Balje, ndërsa përfaqësues të grupeve parlamentare prezantuan qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë.
Kuvendi, po ashtu shqyrtoi raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016.
Mbledhja vazhdon nesër në orën 11:00 me pikat e mbetura dhe me votimin e pikave të shqyrtuara, për të cilat nuk kishte kuorum për votim.